Ballina Flash

Ndërron jetë ish-kryeparlamentari Kolë Berisha

PRISHTINË, 29 gusht/ATSH/ Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha ndërroi jetë sot si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Kolë Berisha ishte nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës nga marsi 2006 deri në 2007.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Visar Berisha.

Osmani: Mësues  i hershëm dhe idealist i madh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka drejtuar një letërgram ngushëllimi familjes, miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia  kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e presidentes Osmani.

Në telegram thuhet se vepra e Berishës ishte shumëdimensionale.

“Mësues  i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, thuhet në fund të telegramit të Presidentes Osmani.

Abdixhiku: Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira 

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dërguar familjes së ish-kryeparlamentarit një telegram ngushëllimi, ku thuhej se ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

“Mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën. Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në telegram.

/KosovaPress/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMikpritja e afganëve, Rama: Sot flitet me admirim në gjithë opinionin ndërkombëtar
Artikulli tjetërSHBA – Biden: Kundërsulm ajror ndaj sulmeve të mundshme në aeroportin e Kabulit