SOFJE, 20 gusht /ATSH-AA/ – Përpjekjet për formimin e qeverisë nga partia “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB), që udhëhiqet nga ish-kryeministri Bojko Borisov, kanë dështuar.
Deputeti Daniel Mitov, ish-ministri i Jashtëm i vendit dhe kandidati për kryeministër i paraqitur nga partia, i ka dorëzuar presidentit Rumen Radev mandatin që kishte marrë për formimin e kabinetit qeveritar.
Mitov njoftoi se partia GERB, që me 63 vende ka grupin e dytë më të madh në Parlamentin bullgar me 240 vende, nuk ka mundur të gjejë mbështetje nga forcat e tjera politike dhe se, për këtë arsye, ka bërë dorëzimin e këtij mandati.
Forcat tjera në parlament akuzojnë ish-kryeministrin Borisov dhe partinë e tij për formimin e një qeverie autoritare dhe për bashkëpunim me “botën e krimit” në periudhën kur kanë qenë në pushtet.
Po ashtu në përpjekjet për formimin e qeverisë dështoi edhe partia “Ka Një Popull të Tillë” (ITN), që me 65 vende ka grupin më të madh në Parlamentin e formuar pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të përgjithshme, që u mbajtën më 11 korrik në vend.
Sipas kushtetutës, presidenti Radev tani duhet t’ia japë mandatin njërës prej katër forcave të tjera politike në Parlament./ /ervo/




















