Ballina Flash

Osmani: Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani

PRISHTINË, 19 gusht /ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.

Sipas njoftimit të Presidencës, përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.

Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.

“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Osmani.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Drejtësia spanjolle vendos heqjen e shtetrrethimit në Barcelonë
Artikulli tjetërOsmani takon ambasadorin austriak, refugjatët afganë dhe dialogu me Serbinë temat kyçe