TIRANË 17 gusht /ATSH-I.Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka deklasifikuar dosjen e masakrës së Qafës së Valmirit.
Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi sot masakrën e Qafës së Valmirit, që çoi 26 persona në dënimin me burgim, varje dhe pushkatim.
AIDSSH njoftoi me këtë rast deklasifikimin e dosjes së masakrën e Qafës së Valmirit dhe vendosjen në dispozicion të studiuesve.
“Të dhënat, në dosjen hetimore të Nikollë Bardhok Bajraktarit dhe 25 të tjerëve. Dosja mund të vihet në dispozicion të studiuesve, në përputhje me ligjin 45/2015 i ndryshuar dhe udhëzuesin për studiues e media”, thuhet në njoftim.
Janë 72 vite nga masakra e Qafë-Valmirit, ku u pushkatuan 10 burra dhe u varën në litar 4 të tjerë më 17 gusht 1949 në Mirditë. Viktimat e kësaj masakre janë: të varur në litar: Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar).
Të pushkatuar: Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi, (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar). /j.p/






















