WhatsApp zhduk fotot dhe videot pas shikimit

SAN FRANCISKO, 5 gusht /ATSH-ANSA/ – Mark Zuckerberg, kreu i Facebook, kompania mëmë e WhatsApp, paralajmëroi në qershor ardhjen e një funksionaliteti të ri në aplikacionin e mesazheve.

Tani, konfirmimi vjen përmes Twitter: funksioni “View once” (Për t’u parë një herë) është përfshirë në përditësimin e aplikacionit për iOS dhe Android.

Ky është një opsion për të dërguar fotografi dhe video, që zhduken pasi marrësi i hap ato për herë të parë.

Përmbajtjet multimediale të View Once mbrohen nga kriptimi skaj-më-skaj, prandaj ato nuk mund të gjurmohen nga palët e treta, piratët kibernetikë ose edhe vetë WhatsApp.

Për më tepër, këta elementë nuk ruhen në fotografi ose në galeritë e pajisjes dhe nuk ka mundësi për të marrë një screenshot, në mënyrë që të shmanget plotësisht një shpëtim i mundshëm gjatë shikimit dhe para se skedari të vetëfshihet.

Madje nuk do të mund t’i përcillni te kontaktet ose t’i shënoni si “speciale”.

Imazhet dhe videot “View once” (Për t’u parë një herë) shënohen me ikonën me numrin 1 pranë tyre./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.