Stane e hektarë të djegur në “Bjeshkët e Nemuna”, Morina: Erërat po shpërndajnë zjarrin

PRISHTINË, 5 gusht /ATSH/ Si pasojë e erërave të forta, janë përhapur vatra të zjarrit në disa pjesë të fshatit Shtupeq i Madh të Rugovës. Qindra hektarë janë përfshirë nga zjarri që ditën e sotme ka marrë përmasa më të mëdha.

Në zonat e përfshira nga zjarri po ndërhyjnë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po sigurojnë banorët në këtë zonë dhe po përpiqen të evitojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërkohë ka pasur edhe ndërhyrje nga KFOR-i përmes helikopterëve.

Zjarri në Shtupeqin e Madh u arrit të lokalizohet nga ndërhyrja e institucioneve por ka shpërthyer prapë dhe ka marrë përmasa më të mëdha sot si pasojë e erërave të forta.

Drejtori i parkut kombëtar Bjeshkët e Nemuna, Fatmir Morina thotë se banorët nuk janë të rrezikuar dhe se ka ndërhyrje në zonat ku vlerësohet rreziku.

“Tashmë është përhapur zjarri edhe në zona të tjera, ky zjarr është pothuajse që 10 ditë që është shfaqur ndërsa ne kemi mundur ta lokalizojmë por era e madhe e cila po mbizotëron ditët e fundit po e shpërndan më shumë. Banorët nuk janë të rrezikuar, tri shtëpi të cilat janë më afër vatrave të zjarrit janë evakuuar ndërsa pjesa tjetër e banorëve janë më larg zjarrit”, thotë Morina.

Toger Drin Merturi nga Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se janë në vazhdimësi duke e ndjekur situatën dhe në rast rreziku do të evakuojnë edhe banorët e tjerë në këtë zonë.

“Ka familje të cilat janë evakuuar, në momentin e parë e shohim rrezik njerëzish ose dëmtim prone atëherë ne ndërhyjmë dhe bëjmë evakuimin e të gjithëve që gjendjen në zonën ku janë duke u përhapur vatrat e zjarrit. Dita e sotme ka qenë në gjendje më të rëndë për shkak të erërave, ditët e para kemi pasur më pak vatra të zjarrit, kemi pas komunikim edhe me KFOR-in të cilët na kanë ndihmuar, ekipet tona dhe pjesëtarët të cilët e kanë bërë shuarjen e vatrave të zjarrit kanë pasur komunikim duke i dërguar koordinatat dhe KFOR-i me anë të helikopterëve ka ndihmuar në shuarjen e zjarrit”, thotë ai.

Banorët në këtë zonë ndër të tjera frikësohen se zjarri do të përfshijë pronat e tyre, sipas të cilëve, rreziku vazhdon të jetë i madh me gjithë ndërhyrjet e institucioneve.

Banori Remzi Nikqi për KosovaPress tregoi se janë 100 hektarë tokë që janë përfshi nga zjarri dhe një stan është djegur i tëri.

“Është interesant se zjarre ka pas edhe në të kaluarën por jo me këto përmasa  kaq të mëdha, asnjëherë nuk e mban mend askush dhe janë lokalizuar shumë shpejt. Këtë radhë ndërhyrja ka qenë e madhe por nuk e di çka ka ndodhë, a është tek jo profesionalizmi apo erëra të mëdha, temperatura të larta dhe kjo ndikon shumë. Dje kemi menduar që është lokalizuar dhe po shkon drejt shuarjes së zjarrit, sot në mëngjes ka filluar një erë shumë e madhe dhe zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Në pjesën tjetër ka edhe djegie të staneve. Ka një stan që është djegur në tërësi. Ne vetëm mëshirën e Zotit po mbajmë shpresë, jo se nuk kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe të tjerët por po shohim që është e pamundur. Kjo është pa koment, nuk di saktë por mbi 100 hektarë janë përfshirë në zjarr dhe rrezikohen edhe qindra hektarë”, tha ai.

Sipas banorit Isuf Nikqi, në ditët e kaluar gjendja ka qenë e rëndë në orët e pasdites, por sot si pasojë e erërave të forta, situata është përkeqësuar në orët e paradites.

“Zjarri ka kapur gjitha anët, përmbi 300 hektarë janë djeg, megjithëse kanë ndërhyrë zjarrfikëset e Pejës, komunave të tjera, FSK, edhe banorët, edhe natën kemi mbajt kujdestari në mënyrë vullnetare. Gjendja sot ka nisë me u ashpërsuar shumë më shumë sot prej orëve 10-11, ditëve të tjera pasdite ishte gjendja më e keqe”, thotë ai.

Ditët e fundit është përhapur zjarr në disa komuna të Kosovës, përveç në Rugovë edhe në Suharekë e Prizren.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.