Champions League, Uzuni dhe Muçi protagonistë absolutë me klubet e tyre

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Mbrëmja e së mërkurës ka qenë e artë për dy nga futbollistët e Kombëtares shqiptare.

Bëhet fjalë për Ernest Muçin dhe Myrto Uzunin, të cilët kanë shkëlqyer në ndeshjet e para të turit të tretë të UEFA Champions League.

Ernest Muçit i janë dashur vetëm 7 minuta lojë për të shënuar një gol me “Legian” e Varshavës. Sulmuesi shqiptar, që u fut në lojë në minutën e 75-të, duke zëvendësuar Rafael Lopez, ka treguar sërish vlerat e tij në ndeshjen që polakët zhvilluan mbrëmjen e kaluar ndaj “Dinamos” së Zagrebit, e vlefshme për turin e tretë të UEFA Champions League.

Në minutën e 82-të të takimit, ai merr përsipër të godasë një top nga distanca, që rezultoi mjaft i saktë duke përfunduar në fundin e rrjetës kundërshtare. Ky gol i Muçit i dha barazimin polakëve, të cilët javën e ardhshme do të luajnë në shtëpi ndeshjen e radhës dhe ku do të tentojnë të kalojnë në fazën play-off të këtij kompeticioni. Ky ishte goli i parë i Ernest Muçit në këtë garë, teksa disa ditë më parë, në ndeshjen hapëse të kampionatit, shqiptari shënoi një gol me peshë për “Legian”, duke i dhënë tre pikëshin e parë në kampionatin polak.

Nga ana tjetër, Myrto Uzuni është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te skuadra e “Ferencvarosh”, duke qenë vendimtar në shumë sfida. Në ndeshjen që hungarezët zhvilluan ndaj “Slavias” së Pragës, ku fituan me rezultatin 2-0, beratasi ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes.

Teksa luhej minuta e 50-të e takimit, sulmuesi shqiptar arriti të fitojë një 11-metërsh për skuadrën e tij. Një driblim i kundërshtarit dhe një pasim për shokun e skuadrës, do të vinte në vështirësi lojtarin e “Slavias”, i cili bën një ndërhyrje të gabuar brenda zonës. 11-metërshi u ekzekutua nga Igor Karatin, i cili dyfishon shifrat për “Ferencvarosh”, që hedh një hap të sigurtë drejt fazës play-off, me një meritë të madhe të shqiptarit Myrto Uzuni.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.