Ballina Flash

TOKIO 2020 – Një spiker kërkon ndjesë për gafën e pafalshme

TOKIO, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios kanë kërkuar falje pasi medalistet ukrainase të notit artistik u identifikuan gabimisht si ruse nga spikeri i garës.

Çifti ukrainas Marta Fiedina dhe Anastasiya Savchuk fituan medaljen e bronztë, pas çifteve nga Komiteti Olimpik Rus (ROC) dhe Kina.

Sidoqoftë, Fiedina dhe Savchuk u emërtuan si konkurrente të Rusisë nga një spiker në gjuhën frënge duke shkaktuar telashe për organizatorët e Tokio 2020.

Ishte një gabim veçanërisht i pafat duke pasur parasysh konfliktin ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës.

Zëdhënësi i komitetit organizator të Tokio 2020, Masa Takaya tha se “do të doja t’i kërkoja falje ekipit të Ukrainës”.

“Gjatë ceremonisë së fitores dje për duetin artistik të notit, u njoftua gabimisht një emër i një vendi dhe rajoni tjetër për ekipin e Ukrainës, që mori medaljen e bronztë. Ishte thjesht një gabim operacional, kështu që ne do të donim të kërkojmë falje për këtë”, theksoi ai.

I pyetur për më shumë detaje, Takaya tha se “ne operojmë në frëngjisht, anglisht dhe japonisht. Spikeri i frëngjishtes duhej të kishte thënë ekipi i Ukrainës, por tha ROC në vend të kësaj”.

“Sigurisht, të pranishmit e vunë re këtë dhe personi përgjegjës për njoftimin kërkoi falje, kështu që ky ishte një gabim thjesht operacional”, shtoi ai./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak269-vjetori i ndarjes nga jeta të ipeshkvit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi
Artikulli tjetërChampions League, Uzuni dhe Muçi protagonistë absolutë me klubet e tyre