Orizoret japoneze, kanavacë për vepra arti

GIODA, 1 gusht /ATSH-AFP/ – Nga toka, nuk mund të dallosh shumë përmes kërcejve të orizit në fushat e Giodës, Japoni, por, nga lart, shfaqet një vepër mbresëlënëse arti për nder të Lojërave Olimpike.

Kjo vepër e madhe e gjallë përmban imazhe ikonike japoneze: Valën e Madhe të Kanagawa-s me në sfond malin Fuji, e realizuar nga artistja Katsushika Hokusai, si edhe imazhin e një aktori teatri kabuki, i ngjashëm me atë të ceremonisë së hapjes së Olimpiadës, më 23 korrik, në Tokio.

Këto imazhe janë pjesë e një tradite vjetore, e filluar në vitin 2008 nga qyteti Gioda, në veri të Tokios, me qëllim tërheqjen e turistëve.

Në vitin 2015, Gioda madje arriti një Rekord Botëror Guinness për krijimin e pjesës më të madhe artistike në botë në një orizore: 27 195 metra katrorë.

Çdo vit, një komitet propozon një projekt të ri dhe qindra vullnetarë mbjellin varietete orizi me ngjyra të ndryshme për të prodhuar imazhe spektakolare, që mund të admirohen nga një observator aty pranë, i vendosur në 50 metra lartësi.

Në vitin 2019, tema nderoi Kupën Botërore të Regbisë, e organizuar nga Japonia.

Imazhi i këtij viti kishte për qëllim të shfaqte trashëgiminë kulturore të Japonisë, me supozimin se shumë vizitorë të huaj do të ishin të pranishëm në vend, për Olimpiadën./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.