Ballina Bota

FOKUS – BE i kërkon Tunizisë rivendosjen e rendit institucional

BRUKSEL, 27 korrik /ATSH-ANSA-AA/ – Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell deklaroi sot se Bashkimi Evropian është duke monitoruar zhvillimet në Tunizi me shumë vëmendje.

“Rrënjët demokratike të vendit, respekti për shtetin e së drejtës, Kushtetuta dhe korniza legjislative duhet të mbrohen duke qëndruar të vëmendshëm ndaj dëshirave dhe aspiratave të popullit tunizian”, deklaroi Borrell.

“Ne bëjmë thirrje për rivendosjen e stabilitetit institucional sa më shpejt të jetë e mundur dhe në veçanti për rifillimin e veprimtarisë parlamentare, respektimin e të drejtave themelore dhe heqjen dorë nga të gjitha format e dhunës”, tha ai.

“Ruajtja e demokracisë dhe stabiliteti i vendit janë përparësi”, shtoi Borrell.

Presidenti tunizian, Kais Saied ka lëshuar një dekret presidencial për të shkarkuar kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së vendit.

Presidenca njoftoi se kryeministri Hichem Mechichi dhe ministri i Mbrojtjes, Ibrahim Bartagi, si dhe ministri i përkohshëm i Drejtësisë, Ben Slimane, që nga 25 korriku u liruan nga detyrat e tyre.

Të dielën, Saied rrëzoi qeverinë e kryeministrit Michichi, bllokoi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.

Presidenti tunizian tha se do të pezullojë imunitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit dhe se do të marrë kontrollin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Ai pretendoi se i kishte marrë vendimet pasi ishte konsultuar me kryeministrin Mechichi dhe kryeparlamentarin Rached Ghannouchi.

Ghannouchi, nga ana e tij, lëvizjet e presidentit i përshkroi si asgjë tjetër përveç “një grusht shtet i plotë” kundër kushtetutës tuniziane, revolucionit dhe lirive në vend.

Tunizia që nga 16 janari është përfshirë nga një krizë e thellë pasi Mechichi njoftoi një riorganizim të kabinetit, por Saied refuzoi të mbajë një ceremoni për të betuar ministrat e rinj.

Tunizia po ashtu përballet me një përhapje të paparë të llojeve të koronavirusit të ri (COVID-19) në shumicën e shteteve, duke shkaktuar një përhapje të shpejtë të virusit.

Tunizia shihet si i vetmi vend arab që arriti të kryejë tranzicion demokratik midis vendeve të tjera arabe që po ashtu dëshmuan revolucione popullore që rrëzuan regjimet në pushtet, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBizneset afat deri më 31 korrik për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore
Artikulli tjetërMeta vlerëson dy veprimtarë dhe heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës