Ballina Aktualitet

Aksidenti me 10 viktima në Kroaci, mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Pas aksidentit tragjik që ndodhi sot në Kroaci, ku një autobusi i linjës Frankfurt-Prishtinë doli nga rruga dhe u përmbys duke shkaktuar humbjen e jetës së 10 personave, autoritetet shtetërore dhe publike në Shqipëri përcollën mesazhet e ngushëllimit.
Ruçi: Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për humbjet e jetëve dhe lëndimet e qytetarëve të Kosovës, si pasojë e aksidentit  të rëndë në Kroaci
“Me trishtim mora vesh lajmin për aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë qytetarë kosovarë dhe u lënduan rreth tridhjetë të tjerë. Shpreh ngushëllimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat për familjet e motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.
Rama: Ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave
Kryeministri Edi Rama shprehu pikëllimin për aksidentin tragjik të autobusit të pasagjerëve në Kroaci ku humbën jetën 10 persona.

 

“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave”, u shpreh kryeministri Rama.
Meta: Ndaj dhembjen e madhe me familjet e viktimave 
Presidenti Ilir Meta përcolli ngushëllime për aksidentin tragjik të autobusit të pasagjerëve.
“Me trishtim të thellë përcolla lajmin e rëndë për aksidentin tragjik në Kroaci.
Ndaj dhembjen e madhe me familjet e viktimave dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Pasagjerëve të lënduar ju uroj shërim të shpejtë. Falënderoj autoritetet kroate, në veçanti për kujdesin shëndetësor të ofruar për të plagosurit”, u shpreh Meta.
Xhaçka: Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka reagoi sot pas lajmit tragjik të aksidentimit të autobusit të pasagjerëve në Kroaci, ku humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës.
“Keqardhje për humbjen tragjike të jetës së shtetasve kosovarë në Kroaci. Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë dhe me zemër e mendje jemi pranë familjarëve dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit”, shprehet Xhaçka.
Basha: I bashkohem dhimbjes së familjarëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha us hpreh se “me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur”.
“I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve’- u shpreh Basha.
Balla: Falënderim për autoritetet kroate për masat e marra
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh i pikëlluar prej lajmit të aksidentit.
“Pikëllim i madh këtë ditë të dielë prej lajmit që erdhi nga Kroacia për aksidentin e rëndë me humbje jetësh të motrave dhe vëllezërve tanë kosovarë, teksa ktheheshin në atdhe me autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. I bashkohem ngushëllimeve për familjet e viktimave, duke shpresuar shumë që të plagosurit rëndë të shërohen. Falënderim për autoritetet e Qeverisë së Kroacisë së Andrej Plenkovic për masat e marra në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet vendore shëndetësore”, u shpreh Balla.

Aksidenti tragjik në Kroaci, Veliaj shpreh ngushëllimet për viktimat

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur ngushëllimet e tij për aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e sotëm pranë qytetit Slavonski Brod në Kroaci, ku një autobus me 67 shtetas kosovarë që vinin nga Frankfurti drejt Prishtinës ka dalë nga rruga duke lënë 10 viktima dhe të paktën 45 të plagosur.

“Shumë i trishtuar nga lajmi për aksidentin e rëndë në Kroaci, ku humbën jetën tragjikisht 10 qytetarë të Kosovës. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve.
Ngushëllime familjeve për humbjen e të afërmve të tyre të dashur!” – thuhet në mesazhin e kryebashkiakut Veliaj.

/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Shpresat e anijes së ëmbël – 30 vjet më vonë”/ Konferencë në 30-vjetorin e eksodit të emigrantëve shqiptarë
Artikulli tjetërCertifikohen të rinjtë e projektit të Bashkisë për zhvillimin ekonomik të Tiranës