“Shpresat e anijes së ëmbël – 30 vjet më vonë”/ Konferencë në 30-vjetorin e eksodit të emigrantëve shqiptarë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Në kuadër të 30-vjetorit të eksodit të emigrantëve shqiptarë me anijen “Vlora” në Bari të Italisë, një përvjetor kaq i rëndësishëm që ka shënuar histori, Fondacioni Migrantes në bashkëpunim me Institutin Apulian për Historinë e Antifashizmit dhe Italisë Bashkëkohore dhe Shoqatën Shqiponjat e Mëndafshta te Barit organizuan një event i cili u zhvillua në dy ditë radhazi, më 23 dhe 24 korrik.

Më 23 korrik në Bazilikën San Nicola u mbajt një Meshë ne Kujdesin Pastoral të Katolikëve Shqiptarë në Itali, kremtuar nga Don Elia Matija, Koordinator Kombëtar i Kujdesit Pastoral të Katolikëve Shqiptarë në Itali. Ndërsa më 24 korrik u mbajt Konferenca me titull “Shpresat e anijes së ëmbël – 30 vjet më vonë”, në Kalanë Sant’Antonio Abate, Bari, moderuar nga Carlo Gentile – RAI, i cili drejtoi tregimin dhe përvojat e drejtpërdrejta te një sere folësish të zgjedhur si protagonistë kryesorë.

Morën pjesë Don Gianni De Robertis, drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit Migrantes, si dhe krijuesi i kësaj iniciative. Prof. Vito Antonio Leuzzi, drejtor i Institutit Apulian për Historinë e Antifashizmit dhe Italisë Bashkëkohore. Eva Meksi, dëshmitare e drejtpërdrejtë teksa mbërriti në Itali me anijen “Vlora”.

Klodiana Çuka, Presidente Integra Onlus. Livio Muçi, themeluesi i shtëpisë botuese “Besa”. Rando Devole, sociolog, gazetar, ekspert i emigracionit. Motër Roza, anëtare e komunitetit shqiptar në Bari.

Përshëndetjet zyrtare u bënë nga përfaqësues institucionalë, Antonia Bellomo Prefekte, Mgr. Giuseppe Satriano Arqipeshkvi i Bari-Bitontos, Ines Pierucci Këshilltarja për Kulturë e Bashkisë së Barit, Gentiana Mburimi Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari dhe  Giuseppe Dalfino i biri i ish Kryetarit të Bashkisë Dalfino.

Pas konferencë, mbrëmja vazhdoi me shfaqjen “Eksodi – Migrimi është një e drejtë njerëzore”, një vepër transdisiplinare specifike për vendin që kujton eksodet dhe zbarkimin e migrantëve të të gjitha kohërave që ndërthurin artin, muzikën dhe fjalën.

Konceptimi i projektit sheh së bashku një artist, Nikola Genco, një muzikant, Redi Hasa dhe dy gazetarë e autorë, Giorgia Salicandro dhe Luigi Taccone. Mbrëmja u shoqërua me tingujt në piano të pianistit të shquar Ekland Hasa. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.