Segmenti Salari-Nivicë, do të lidhë Tepelenën e Përmetin me bregun e Jonit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Në Tepelenë ka përfunduar segmenti Salari-Nivicë, që do të lidhë me rrugë turistike qytetin poshtë me lartësinë magjepsëse të Nivicës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro, panë nga afër punimet që janë kryer në këtë segment.

“Një ndalesë e shkurtër për të parë segmentin e përfunduar Salari – Nivicë, që së bashku me segmentet Bënçë-Lekdush, Gusmar-Kuç si dhe Lotin 3 të të rrugës së Lumit të Vlorës që përfundojnë të gjitha pranverën e ardhshme, do të lidhë Tepelenën e Përmetin me bregun e Jonit përmes një pjese të mahnitshme ende të pazbuluar të Shqipërisë”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “duhet promovuar turizmi se kush vjen e shikon mahnitet e vjen përsëri, por duhet promovuar që njerëzit ta përdorin këtë rrugë dhe të vijnë të shikojnë këtë gjë të jashtëzakonshme”.

Kryebashkiaku Peçi tha se “kemi një 1 km e gjysmë pa e shtruar ende, pasi jemi duke investuar për ujësjellësin e Nivicës”.

Duke folur për turistët që vizitojnë këtë zonë, Peçi tha se “kemi 15 bujtina vetëm në zonën e Kurveleshit. Çdo fundjavë kemi 500-600 turistë”.

Inxhinieri që ndjek punimet tha se, “rruga është 13 km, është vazhdim i lidhjes edhe të 6 fshatrave të Lopësit deri në Nivicë. Kemi ecur me rrugën nga Kuçi në Gusmar. Vitin tjetër që përfundon edhe loti i 3 i Lumit të Vlorës shkojnë të gjitha këto fshatra deri në Qeparo”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.