Zhupa: SPAK të mos vonojë hetimet për inceneratorin e Tiranës

TIRANË 21 korrik /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i ka kërkuar SPAK-ut të vazhdojë hetimet për inceneratorin e Tiranës.

Në në deklaratë publike pranë Gjykatës së Tiranës, Zhupa tha se “vazhdojmë betejën me inceneratorin e Tiranës, në një betejë gjyqësore bashkë me përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe unë, për shkak se Mirel Mërtiri na ka akuzuar për shpifje në procesin e deklarimeve publike që kemi bërë nga landfilli i Sharrës për inceneratorin e Tiranës”.

“Ne i qëndrojmë deklaratave që inceneratori i Tiranës nuk ekziston, aty nuk kryhet djegie të mbetjeve të qytetit të Tiranës, ashtu siç është fjala “incenerator” apo kontrata publike që Bashkia Tiranë ka lidhur me inceneratorin e Tiranës. Qeveria “Rama” dhe gjithë strukturat e saj janë vënë, edhe sot që ne flasim, në shërbim të kalimit të parasë publike për llogari të inceneratorit të Tiranës dhe landfillit të Sharrës. Kriza e fundit mjedisore që krijuan në Durrës dhe në Kavajë duke lënë mbetjet rrugëve, në mes të sezonit turistik, vetëm për të justifikuar atë që ne kishim paralajmëruar: dhënien e parave të tjera publike nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës dhe landfillin e Sharrës. Këto janë skema korruptive, skema që qeveria “Rama” i ka ndërtuar për të financuar këtë landfill. Këto janë skema korruptive, skema që qeveria Rama i ka ndërtuar për të financuar këtë landfill. Ky landifill dhe ky incenerator, ne kemi deklaruar me përgjegjësi të plotë sipas kontratave që ata kanë firmosur, paguhet për 65 tonë mbetje në qytetin e Tiranës, pavarësisht nëse bëhen këto 650 tonë mbetje çdo ditë në qytetin e Tiranës. Pra e kanë kuotën të paracaktuar që të mos cenohen nga paratë që marrin nga buxheti i shtetit. Ne kemi paguar deri tani 23 milionë euro nga taksat tona për inceneratorin e Tiranës, i cili nuk ekziston. Atje bëhet vetëm groposje e mbetjeve që hidhen nga Bashkia Tiranë, por tashmë me zgjerimin do të marrë edhe mbetje nga Durrësi, edhe mbetje nga Kavaja”, tha ajo.

Po ashtu, Zhupa tha se “mesa duket ky është një proces gjyqësor i cili ai ka kërkuar për të shpallur veten të pafajshëm, por ne i qëndrojmë të gjitha deklarimeve publike dhe i kërkojmë SPAK, siç e kemi çuar padinë penale në SPAK nga përfaqësuesit e PD-së, i kërkojmë që të vazhdojë hetimet për inceneratorin e Tiranës, të vërë para përgjegjësisë ata njerëz që kanë abuzuar me fondet dhe me paratë shtetërore të shtetit shqiptar, si njerëzit privatë, si zyrtarët e lartë shtetërorë. Ne do të jemi gjithmonë përballë atyre që vjedhin, që marrin paratë publike të qytetarëve shqiptarë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.