Panairi kombëtar i artizanëve në Delvinë

Delvinë, 21 korrik /ATSH-Shkëlqim Hajno/ U organizua ditët e fundit në Delvinë, Panairi kombëtar i artizanëve.

I konceptuar si një nismë e përbashkët e bashkisë, Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Traditës dhe Artizanatit, Panairi solli vlera të larmishme autentike të punimeve të traditës artizanale nga Delvina, Tepelena, Gjirokastra, Kruja, Korça, Lezha, Belshi, Tirana, artizanët e qendrës “Margarita” në Berat, etj.

Eventi kulturor u përshëndet nga kryetarja e bashkisë Majlinda Qilimi dhe Niko Kotherja, drejtor i Qendrës Kombëtare të Traditës dhe Artizanatit. Në këtë veprimtari ishte i pranishëm edhe nënprefekti i Delvinës, Agron Kohila.

Për disa orë atmosfera në sheshin në qendër të qytetit u shndërrua në një festë popullore ku u paraqitën prodhimet e mjeshtërisë popullorë nga treva të ndryshme të vendit .

Në këtë aktivitet tërhoqën vëmendjen punimet e qëndistarisë, të artizanatit të endjes dhe thurjes, të gdhendjes në dru, të punimeve të llamarinës, te shportave me thupra shelgu të artizanëve delvinjotë, etj. Me interes u vlerësuan artikujt me punime druri, punimet prej leshi, rrugicat e qilimat me motive popullore nga Kruja, etj.

Qindra qytetarë vizituan pavijonet e këtij panairi duke blerë edhe sende të ndryshme të artizanatit të dorës.

“Ky është panairi i dytë i artizanatit që organizohet në Delvinë”, – tha për ATSH-në kryetarja e bashkisë, Majlinda Qilimi. Teksa shtoi se, “ne synojmë që të ringjallim sadopak traditën shekullore të artizanatit në Delvinë pasi jo më kot shpesh thuhet se: “artizanati ka lindur në Delvinë””, – tha kryebashkiakja.

Panairi i Artizanëve në Delvinë u përmbyll me një koncert nga grupet artistike të qytetit, që e pasuruan më tej atmosferën festive të këtij aktiviteti.

Delvina është një nga qendrat urbane më të njohura në shkallë vendi kryesisht për traditën e hershme të artizanatit, së paku nga periudha mesjetare. Veprimtari të tilla si Panairi i Artizanëve synon veç të tjerash edhe rikthimin e pjesshëm të traditës së njohur delvinjote të artizanëve në kushtet e reja të zhvillimeve ekonomike e turistike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.