TIRANË, 15 korrik/ATSH/Kryesia e Partisë Demokratike (PD) miratoi sot ndryshimet në statut të cilat do të paraqiten për votim në Kuvendin Kombëtar që do të mbahet me 17 korrik, si dhe listën me kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të PD-së, Komisioni i Përhershëm Statutor diskutoi mbi propozimet e ardhura për ndryshime në statutin e partisë të dërguara nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha.
Po ashtu, Komisioni mori në shqyrtim edhe ndryshimet e propozuara nga anëtari i Kryesisë Fatbardh Kadilli, anëtari i Këshillit Kombëtar, Rudin Sata dhe Edith Harxhi.
Sipas PD-së, janë përfshirë si vlera që mbrohen, promovohen dhe nxiten nga PD meritokracia dhe shanset e barabarta në punësim dhe karrierë, lufta ndaj korrupsionit dhe dhënia fund e fenomenit të pandëshkueshmërisë, shkëputja e lidhjeve midis politikës dhe krimit të organizuar, si dhe nxitja e një sistemi drejtësie të pavarur dhe të paanshëm që i shërben vetëm qytetarëve dhe interesit publik.
Po ashtu, është zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti dhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën që kishte kryetari në këtë drejtim.
Është rikonceptuar kryesia e seksionit, ky kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë“. Është shtuar si strukturë vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut.
Po ashtu, është zgjeruar kryesia e degës së partisë, ku do të përfshihen edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së që kanë vendbanim në degë.
Njëkohësisht është rikonceptuar mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, ashtu si dhe kryesia e Partisë. Është rikonceptuar roli i Sekretarit Ekzekutiv të Partisë duke hequr numrin limit të sekretarëve funksionalë në përbërje të tij.
Është bashkuar në një komision të vetëm, Komisioni i Apelimit dhe ai i Integrimit dhe Etikës, duke i njohur kompetencën për vlerësimin e kandidatëve dhe zbatimit të rregullave për dekriminalizimin dhe integritetin vetëm Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.
Është riformatuar Komisioni i Përhershëm i Statutit, si dhe është harmonizuar dhe thjeshtuar përmbajtja e statutit aktual. /a.a/






















