TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Të gjithë pasagjerët që do të udhëtojnë drejt Spanjës janë të detyruar të paraqesin një formular të kontrollit shëndetësor (FCS) pas mbërritjes në aeroport.
Kompania Tirana Airport Partners bën të ditur se udhëtarët mund të përdorin formularin në faqen e internetit www.spth.gob.es ose të shkarkojnë aplikacionin Spain Travel Health në celular nga e njëjta faqe në internet.
“Nëse jeni duke përgatitur një udhëtim për në Spanjë, ju rikujtojmë se për shkak të krizës shëndetësore COVID-19, do të jetë e detyrueshme të paraqisni një Formular të Kontrollit Shëndetësor pas mbërritjes në aeroport dhe të merrni më pas një kod QR. Ju mund të përdorni formularin në faqen e internetit www.spth.gob.es ose të shkarkoni aplikacionin Spain Travel Health në celularin tuaj nga e njëjta faqe në internet”, bën të ditur TIA.
Pasagjerët duhet të plotësojnë formularin e kontrollit shëndetësor në faqen e internetit ose në aplikacion 48 orë para fluturimit.
“Pasi ta dorëzoni, do të merrni një email me një kod QR që do t’ju lejojë të hyni në aeroportin e destinacionit. Mund ta printoni kodin ose ta ruani në telefonin tuaj celular. Formularët e printuar nuk pranohen. Nëse nuk e keni kodin QR, nuk e keni të mundur udhëtimin”, informoi TIA.
Në aeroportin e mbërritjes pasagjerët janë të detyruar të tregojnë kodin QR që do të skanohet në mënyrë që të kenë mundësi të hyjnë në terminal dhe të marrin bagazhet.
Ndërkohë, TIA thekson janë hequr të gjitha kufizimet për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë në Spanjë. As testi, as vaksinat nuk janë të detyrueshme. Mjafton bileta, pasaporta dhe maska.
/r.e/






















