Ballina Aktualitet

Momente kulmore nga “Defender Europe 21″/ Ambasada e SHBA-së: Krah për krah gjithmonë


TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë ndau sot pamje nga stërvitja e përbashkët “Defender Europe 21”, që u zhvillua gjatë muajve maj-qershor, ndërsa theksoi se “ne vazhdojmë të stërvitemi e të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë krah për krah gjithmonë”.

“Gjatë muajve maj dhe qershor, Shqipëria mikpriti aspekte të rëndësishme të ‘Defender Europe 21’, stërvitja vjetore shumëkombëshe e përbashkët e në shkallë të gjerë, e krijuar për të forcuar gatishmërinë dhe ndërveprimin midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve partnere”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Më shumë se 26 mijë forca shumëkombëshe nga 27 vende zhvilluan pothuajse në të njëjtën kohë operacione në më shumë se 30 zona trajnimi e në më shumë se një dyzinë vendesh nga Baltiku, në Ballkan dhe Rajonin e Detit të Zi.

Ndërsa ndau disa momente kulmore nga stërvitja, Ambasada e SHBA-së shprehet se “edhe pse ‘Defender Europe 21’ ka mbaruar, ne vazhdojmë të stërvitemi së bashku, të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë krah për krah gjithmonë”.

Stërvitja “Defender 21” u krye në bazat ushtarake të Bizës, Kuçovës, Pashalimanit, Farkës, Rinasit, Durrësit dhe Zall-Herrit. Stërvitja “Defender Europe 21” u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) drejtoi paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete ishte pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: Asnjë humbje jete, 1915 testime, 1 i shëruar dhe 11 raste të reja në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërNë Kanë, një kinema që ndryshon temperaturat