TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh sot se reforma në sistemin penitenciar e ndërmarrë në vitin 2017, preku gjithë rregullimin ligjor lidhur me sistemin penitenciar dhe ekzekutimin e vendimeve penale.
Gjonaj theksoi se sa i përket reformimit legjislativ, janë miratuar 4 ligje dhe 9 akte nënligjore si edhe Masterplani 2019-2023.
“Janë miratuar, paketa ligjore me ligje të sistemit penitenciar dhe ekzekutimit të vendimeve penale. Janë miratuar 9 akte nënligjore për zbatimin e reformës penitenciare (ndërkohë që 22 janë në proces hartimi dhe miratimi). Është miratuar Masterplani 2019-2023, i cili është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Gjonaj.
Gjonaj nënvizoi se, reforma ka rritur cilësisht kapacitetin e burimeve njerëzore të sistemit të burgjeve duke zbatuar procedura rekrutimi rigoroze si dhe duke përmirësuar ndjeshëm trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
Gjonaj publikoi shifrat duke theksuar se, “janë rekrutuar me konkurs 956 punonjës, rezultatet e të cilëve janë kontrolluar në skantron në Akademinë e Sigurisë. Është emëruar trupa e re drejtuese në 24 IEVP, përmes një konkursi meritokratik dhe transparent. Është siguruar mostransferimi i punonjësve të policisë së burgjeve mbi 45 km. U mundësua pajisja me uniformë të re të 85-90 % të efektivëve të policisë së burgjeve. U mundësua transporti i organizuar për të gjithë punonjësit që janë transferuar brenda 45 km nga vendbanimi. Është rritur stafi policor me 23 %, apo 665 punonjës më shumë që prej vitit 2014”.
Sa i përket rritjes së pagave të punonjësve të policisë së burgjeve, Gjonaj publikoi shifrat duke theksuar se, “është rritur me 19.3 % paga gjatë viteve 2013-2020. Është arritur barazia e pagave me Policinë e Shtetit. Janë njohur ligjërisht rritjet për shtesat në gradë, për vështirësi shërbimi dhe për vjetërsi. Është njohur e drejta për përfitime financiare për mbulimin e shpenzimeve.
Gjonaj gjithashtu nënvizoi se, buxheti total për sistemin penitenciar është rritur me 48 % që prej vitit 2014.
Sa i përket investimeve infrastrukturore në vitet 2017-2021, Gjonaj theksoi se, “është kryer rikonstruksioni i IEVP 313 (“Jordan Misja”) me rritje kapaciteti 160 persona, 49.9 milionë lekë. Pas 20 viteve u përfundua rehabilitimi i plotë i spitalit të burgjeve, 29.3 milionë lekë. Me mbështetjen financiare të partnerëve të BE u bë e mundur hapja e IEVP Shkodër, 18.37 milionë euro. Rikonstruksioni i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke u vendosur në funksion Qendra e Trajnimit me kapacitet 100 persona. Përfundoi faza e parë e rikonstruksionit të dy godinave për të sëmurët me mjekim të detyruar në burgun Lezhë, 97 milionë lekë. Ka filluar investimi në godinën e vjetër të Pojskës, si institucion për të moshuarit e dënuar, 278 milionë lekë. Përmirësimi i flotës së automjeteve të reja, autoburgje dhe autoambulanca, 28 milionë lekë”.
/r.e/






















