Ballina Flash

Hapet thirrja për praktikat e punës për 2 mijë të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi nëpërmjet një videomesazhi përcolli lajmin e hapjes së thirrjes së gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Ministrja bëri të ditur se aplikimet mund të bëhen nëpërmjet faqes www.praktika.arsimi.gov.al dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 31 korrik. Kjo thirrje vlen për të gjithë të diplomuarit mes moshës 21-26 vjeç.

“Janë 2 mijë vende praktike të profileve të ndryshme, për të cilat u jemi shumë mirënjohës të gjitha institucioneve që i janë bashkuar kësaj thirrjeje, duke filluar nga institucionet qendrore, ato të vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura apo edhe shoqëritë e ndryshme tregtare”, tha Kushi.

Pas praktikave 3-mujore që do të zhvillohen mes datave 16 gusht – 16 nëntor të këtij viti, rreth 200 praktikantë që do të kenë performancën më të mirë do t’u jepet mundësia e kontratës 1-vjeçare me institucionin ku kanë zhvilluar praktikën e punës.

“Unë jam me të vërtetë e lumtur që edhe në ministrinë që drejtoj, ka plot të rinj e të reja që kanë përfituar direkt nga thirrjet e kaluara të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Ata sot, i kemi kolegë e bashkëpunëtorë të mirë dhe i vlerësojmë shumë për frymën pozitive dhe dinamizmin që kanë sjellë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë,” tha ajo.

Përgjatë 5 thirrjeve të shkuara të këtij programi janë 3 mijë të rinj e të reja që kanë realizuar praktikën 3-mujore, nga të cilët, rreth 1 mijë më të mirët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune. /m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinistri Çuçi pret homologen britanike/ Nënshkruhet marrëveshja e ripranimit
Artikulli tjetërFieri me numrin më të madh të bizneseve të reja që u hapën në sektorin e bujqësisë