Ballina Flash

FUTSAL/ Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e Grupit C të Champions League 2021/22

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Një tjetër lajm pozitiv vjen nga UEFA për FSHF-në dhe Shqipërinë!

Pasi iu besua organizimi i ndeshjeve të turit paraeliminator të Champions League 2021/2022, dhe organizimi i finales së madhe të UEFA Conference League 2022 në Air Albania Stadium, UEFA ka vendosur që Shqipëria të mirëpresë edhe disa nga ndeshjet e Futsal Champions League 2021/2022.

UEFA ka hedhur shortin për fazën paraeliminatore të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë në futbollin e sallës, duke ndarë 32 skuadra në 8 grupe me nga 4 skuadra.

Duke qenë se sezonin e kaluar edhe aktivitetet në sallat e mbyllura u ndërprenë për shkak të pandemisë Covid-19, është vendosur që nga Shqipëria të marrë pjesë në këtë turne KF “Tirana”, si kampionia e fundit e shpallur në mënyrë sportive.

Një praktikë të tillë UEFA e ka përdorur edhe në përzgjedhjen e shumë skuadrave të tjera, që nuk kanë mundur dot të marrin pjesë në kampionate pas pezullimit të aktiviteteve.

Klubi kryeqytetas është shortuar në Grupin C së bashku me “Haladás VSE” (HUN), “FC Differdange 03” (LUX) dhe “Utleira Idrettslag” (NOR). Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri. Në ditët në vijim do të përcaktohet edhe kalendari i ndeshjeve me datat kur do të zhvillohen këto sfida.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRihapja e hetimeve për Gërdecin/ Fatmir Mediu më 27 korrik para GJKKO
Artikulli tjetërTë zhdukurit në komunizëm/ Në Sarandë, zhvillohet një takim ndërgjegjësimi për publikun