Ballina Aktualitet

Policia e Shtetit, mision për mbrojtjen e territorit në çdo aspekt

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Policia e Shtetit duhet të ketë mision mbrojtjen e territorit.

Në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Rama tha se, “sot ne jemi përballë edhe disa faktesh të ekspozuara nga veprimtaria e disa eksponentëve të Policisë së Shtetit në të shkuarën, jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen edhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se nga çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shteti”.

“Nga ana tjetër nuk e di në cilin vit, kemi hyrë tani, po me një llogari të thjeshtë, është viti i disatë kur ne shikojmë me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit kryesorë të saj në nivel vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada, ndarja e Policisë së Shtetit nga ky mision. Ne e kemi njehsuar këtë mision me Policinë e Shtetit. Në të gjithë aspektet e cenimit të pronës publike dhe të mjedisit”, theksoi Rama.

“Për cilën arsye në botë ne duhet të kemi akoma shfaqje, sado sporadike, të ndërtimeve pa leje? Për cilën arsye në botë? Vetëm për një arsye korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, asnjë arsye tjetër nuk ka. Bashkëpunimi në krim. Ndërkohë që në parlament, në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive, janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë arsye të paguajnë asnjë cent, jo më miliona për ato kosto”, u shpreh Rama.

“Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacenueshmërisë së territorit nga ndërtuesit pa leje duhet të jenë prioritet i palëvizshëm për çdo drejtues të ri të Policisë së Shtetit, që raportin me qytetarin të strukturës që ai drejton dhe raportin me Drejtorin duhet t’i ketë si dy anët e të njëjtës medalje të punës së përditshme”, shtoi kreu i qeverisë.

“Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura, për një avlli, për një gardh, për një mur dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike, e kështu me radhë”, tha Rama.

“Megjithëse në mënyrë të përsëritur e kemi nënvizuar, dhe unë personalisht e kam nënvizuar edhe me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit që, është e turpshme, është e frikshme, është e pagëlltitshme që strukturat e Policisë në territor të shpenzojnë energji, kilometra, kohë për të shkuar edhe për të futur në telashe dhe në ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë, ndërkohë që para syve të tyre dhe me miratimin e tyre dhe me pjesëmarrjen e tyre në korrupsion, hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë. Kultivohen puçrra me qelb në trupin e një bukurie siç është Shqipëria, që duhet me bukurinë e saj dhe falë të gjithëve ne, të prodhojë mirëqenie të lartë për fëmijët e vet”, theksoi Rama.

“Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton. Çfarë bën Policia e Shtetit në ato kuadrate që janë të ndara qartësisht mes komisariateve? Kthen sytë nga ana tjetër. Kthen sytë nga ana tjetër, dhe këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë edhe ata që gjuajnë ikin me motor. Këtu flitet për skena krimi aktive me orë, me ditë, me javë, me netë të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë, e zeza mbi të bardhë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të ndërtosh pa leje. Është njësoj si çdo krim tjetër, madje me dënime shumë të rënda. Dhe këto skena krimi zhvillohen në sytë e policëve, që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër dhe nëse nuk i vëmë gjërave emrin e  tyre e kemi shumë të vështirë pastaj që t’i ndryshojmë gjërat. Emri është korrupsion. Nuk ka tjetër. Ky është emri: korrupsion, ryshfet, bakshish, poshtërsi, neveri, shëmti”, u shpreh Rama.

“Nga ana tjetër, ajo që unë konsideroj problematike në Policinë e Shtetit është mosnjohja dhe mosinformimi permanent me ligjin, me normat dhe parimet ligjore mbi të cilët vepron Polica e Shtetit. Nuk mjafton që ta njohë dhe ta zbatojë ligjin trupa drejtuese. Ligjin duhet ta njohë dhe ta zbatojë çdo nëpunës policie, çdo punonjës policie, çdo polic, në çdo cep të territorit. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dijeje, një dije për praktikat e teknologjisë dhe inovacionit. Dije për praktikat ligjore dhe administrative, dije për praktikat e mira deri tek sjellja. Dhe që kjo vatër dijeje të funksionojë plotësisht, duhet të edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet brenda për brenda strukturës të jenë të pandërprera, për të gjithë. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë, sepse ka çdo ditë diçka për të mësuar”, u shpreh Rama.

Rama nënvizoi se, “qëllimi këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është shumë i qartë dhe synimi i materializuar në personat me emër dhe mbiemër që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm është që njerëz me profesionalizëm, njerëz me integritet, njerëz me rezultate të marrin në dorë drejtimin e Policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohës, e përgatitur prej kohësh, e përshpejtuar edhe nga ngjarjet e fundit që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar europian, pra në mesataren europiane me shifra dhe me standarde të Policisë së Shtetit”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushi pret 40 maturantët me rezultatet më të larta në Maturën Shtetërore 2021
Artikulli tjetërFOKUS – Bullgaria në zgjedhje të parakohshme, cili koalicion do të qeverisë vendin?