UASHINGTON, 7 korrik /ATSH-AFP/ – Firma bioteknologjike amerikane Moderna njoftoi sot se ka filluar provat me njerëz të një vaksine gripi duke përdorur teknologjinë ARN, e njëjta që përdoret në vaksinën e saj COVID-19.
Këto prova do të përfshijnë 180 vullnetarë të rritur për të vlerësuar sigurinë dhe intensitetin e përgjigjes imune të shkaktuar nga injeksioni i këtij produkti, të quajtur mRNA-1010.
Nëse këto prova janë të suksesshme, ato mund të krijojnë një gjeneratë të re të vaksinave të gripit me performancë më të mirë.
Vaksinat aktuale të gripit përdorin viruse të inaktivizuara që kanë humbur aftësinë e tyre për të shkaktuar infeksion, por janë ende në gjendje të shkaktojnë një përgjigje të sistemit imunitar.
Vaksina e testuar do të synojë nëntipet e gripit A të njohur si H1N1 dhe H3N2, si dhe linjat e gripit B, Yamagata dhe Victoria.
OBSH vlerëson se gripi është përgjegjës për rreth tre deri në pesë milionë raste sëmundjesh të rënda çdo vit dhe 290 000 deri në 650 000 vdekje./ /ervo/























