TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Një investim i rëndësishëm në sektorin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë, po kryhet në rezervuarin e Arapajt, Durrës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bashkë me kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, panë nga afër punimet që po bëhen për ta rikthyer në funksion të plotë këtë vepër ujitëse.
“Duke parë ritmin e punimeve, brenda kësaj vere përfundojnë ndërhyrjet e planifikuara”, – tha Ekonomi.
Sipas saj, ky rezervuar do të përmirësojë jo vetëm ujitjen e tokave për fermerët, por do të shërbejë edhe për të mbledhur ujërat e zonës së Arapajt gjatë sezonit të shirave, duke shmangur përmbytjet.
Inxhinieri teknik, që po ndjek punimet në këtë vepër tha se, “kjo digë është relativisht e vjetër dhe kohët e fundit ka pasur rrëshqitje të dherave duke u bërë rrezik për përmbytje të gjithë zonës ku gjendet ajo, pasi edhe shkarkuesi i kontrolluar i digës nuk ka qenë funksional”.
Ai shpjegoi se, fillimisht u bë zbrazja e kontrolluar e rezervuarit nga uji, “çka na dha mundësinë që ne të punojmë në krahun e brendshëm të digës. Sidomos në skarpate”.
“Aktualisht është bërë rreth 80 % e punës, ka mbetur për tu veshur skarpata me kalldrëm, dhe po punojmë në anën e jashtme duke sistemuar pjesën që kishte rrëshqitur. Hapi tjetër i radhës do të jetë ndërtimi i drenazhimeve të gjithë digës, që mos të kemi më përsëritje të përmbytjeve dhe të defekteve që diga ka patur në kohë”, – tha inxhinieri.
Inxhinieri e informoi ministren Ekonomi, se në gusht projekti do të jetë i realizuar plotësisht dhe do të vihet në shërbim të fermerëve të zonës.
Kryetarja Sako bëri të ditur se, paralelisht po ecet edhe me projekte të tjera në sistemin e ujitjes dhe kullimit.
“Kjo është skema e dytë. Kemi një skemë e cila pothuajse ka përfunduar, është ajo e Spitallës, rezervuarit të Spitallës. Me përfundimin e kësaj kemi për të aplikuar dhe projekte të tjera për rezervuare që kanë nevoja të kësaj natyre, për të ndërhyrë në përmbajtje. Ndërsa kemi arritur të bëjmë pastrimin e kanaleve ujitëse këtë periudhë që ti shërbejmë sezonit të vjeshtës”, – deklaroi Sako.
/j.p/r.e/












