KARAÇI, 30 qershor /ATSH-AFP/ – Aplikacioni TikTok njoftoi sot se ka hequr më shumë se gjashtë milionë video në tre muaj në Pakistan, pasi kërkon të shmangë një ndalim të përhershëm në vendin thellësisht konservator.
Shumë popullor në mesin e të rinjve pakistanezë, aplikacioni kinez për ndarjen e videove është mbyllur dy herë këtë vit nga autoritetet për përmbajtje “të pahijshme”, hera e fundit në mars, pas së cilës ai u zotua të moderonte transmetimin e përmbajtjes.
“Në tregun pakistanez, TikTok hoqi 6 495 992 video (janar-mars), duke e bërë atë tregun e dytë që ka më shumë video të fshira pas SHBA-së, ku janë fshirë 8 540 088 video”, tha TikTok Pakistan në raportin e tij të fundit të transparencës.
Një zëdhënës tha se videot e bëra në Pakistan u hoqën pas kërkesave nga përdoruesit ose qeveria.
Në këtë vend mysliman, është tabu, për shembull, të transmetosh video në të cilat rrobat e protagonistëve tregojnë shumë lëkurë.
“Platformat e medieve sociale janë më të gatshme të heqin dhe bllokojnë përmbajtjen në Pakistan për t’i shpëtuar ndalesave të plota”, tha Nighat Dad, një aktivist i të drejtave dixhitale.
Njoftimi vjen ndërsa aplikacioni përballet me një betejë të re ligjore në Karaçi, ku një gjykatës u ka kërkuar autoriteteve të telekomunikacionit ta pezullojnë atë për transmetim “përmbajtjeje imorale”.
Sidoqoftë, platforma vazhdon të funksionojë në vend./ /ervo/


















