TIRANË, 26 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar një përmbledhje të aktiviteteve të javës përmes një fotoalbumi.
Ditën e sotme, kryeministri Rama ishte në Vlorë ku po ecin me ritme të shpejta punimet për Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të Transballkanikes me zonën e portit, një hapësirë e re spektakolare publike për qytetin, vizitorët e turistët. Po ashtu, dje ai inspektoi punimet e transformimi në brendësi të lagjes Çole, ku po punohet me infrastrukturën rrugore, gjelbërimin dhe fasadat e pallateve, duke rritur vlerën e banesave dhe krijuar kushte të mira për komunitetin.
Po ashtu, kryeministri Rama ishte këtë javë në Qafë Mollë ku ka inspektuar fabrikën e re ultramoderne e përpunimit të ujit “Selita”, një investim i ri 20 milionë euro me teknologjinë më të fundit të liderit botëror gjerman, Krones
Gjithashtu, Rama mori pjesë në samitin e Shkupit, ku dha dhe një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev
Në fillim të javës, kryeministri Rama inspektoi nga afër godinë e re të Ujësjellës Kanalizimeve në Kamzë, një iniciativë e përbashkët e qeverisë shqiptare, gjermane, Bashkimit Europian dhe qeverisë zvicerane që sjell një tjetër standard dhe shërbim cilësor për qytetarët e Kamzës. /j.p/






















