Ibrahimi: ”Rezultati i monitorimit tuaj është i vyer për Këshillat, dhe ne duam të dëgjojmë mendimet e shoqërisë civile, për t’i përfshirë ato në politikat tona institucionale”.
TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në kuadër të zbatimit të projektit “Drejt një eficience dhe integriteti më të mirë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, realizoi sot paradite takimin me temë: “Prezantimi i gjetjeve kryesore mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për periudhën e monitorimit dhjetor 2020 – prill 2021”.
Ky projekt mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla, i Komisionit për Demokraci, i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Në këtë takim ku merrnin pjesë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kryetarët e KLGJ-së dhe KLP-së, përkatësisht Naureda Llagami dhe Gent Ibrahimi, si dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, u paraqitën përfundimet e arritura mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për periudhën e monitorimit.
Ibrahimi vuri theksin në rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile, për të përcjellë zërin e publikut në politikat e sistemit të drejtësisë.
”Rezultati i monitorimit tuaj është i vyer për Këshillat, dhe ne duam të dëgjojmë mendimet e shoqërisë civile, për t’i përfshirë ato në politikat tona institucionale”, – tha Ibrahimi.
Sipas tij, modeli ynë i qeverisjes së sistemit të drejtësisë, më shumë se çdo model tjetër që njoh unë e institucionalizon pjesëmarrjen e shoqërisë civile në forumin kryesor të qeverisjes.
“5 nga ne vijnë nga radhët e avokatëve, petagogëve dhe të shoqërisë civile. Është e rëndësishme që këto grupet shoqërore dhe profesionale prej nga vijmë ne, të mbajnë linja komunikimi me përfaqësuesit e tyre në Këshill. Është një levë e jashtëzakonshme që kushtetutëbërësi i ka dhënë shoqërisë cilive shqiptare, që të jetë në majën e qeverisjes së sistemit”, – tha ai.
Ibrahimi theksoi se, “në fund të këtij vitit këshillat do të rinovohen në 50 % të përbërjes së tyre dhe është një mundësi e mirë për shoqërinë civile. Padyshim që asnjë organizatë e shoqërisë civile nuk di aq shumë dhe aq thellë sa ç’dinë ata që e administrojnë sistemin, por ju keni fuqinë e përfaqësimit publik, ndaj është e rëndësishme të sillni frymën tuaj në monitorimin e sistemit. Ne duam të dëgjojmë mendimin tuaj, që t’i transformojnë në politika të qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Në një prononcim për mediat e pranishme në aktivitet, lidhur me një nga gjetjet e raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që kishte të bënte me “caktimin në detyrë të drejtuesëve të prokurorive, pa kaluar vettingun me vendim të formës së prerë”, kryetari i KLP-së, Ibrahimi, tha se ligji nuk parashikon pezullimin e sistemit të karrierës, gjatë procesit të vettingut.
“Është një vendim i mirëmenduar i Këshillit. Ne nuk mendojmë se pezullimi i sistemit të karrierës në prokurori është një zgjidhje. Të pezullosh sistemin e karrierës në një sistem profesionistësh është si ta çosh atë sistem në vdekje klinike; kështu që, për ne s’ka qenë kurrë një opsion, aq më tepër se drejtuesit e prokurorive, ndryshe nga kryetarët e gjykatave, kanë rol të rëndësishëm procedural, i cili nuk mund të mungojë. Në rast se ky rol ushtrohet nga një njeri i caktuar në atë pozicion, vetëm përkohësisht, natyrisht që ai do të ushtrohet eventualisht me një përgjegjësi më të kufizuar. Konstatimi është i saktë, por zgjidhja që kemi dhëne ne, është se nuk e pezullojmë sistemin e karrierës, pavarësisht vështirësisë që krijon veprimi i Vetingut”, – u shpreh Ibrahimi. /j.p/r.e/























