TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Në drejtimin e kryetares, Senida Mesi, nënkomisioni për Zhvillimin e Qëndrueshëm, në vijim të veprimtarisë së tij, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Elsa Dhulin, drejtoreshë e përgjithshme e INSTAT, për ecurinë e zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030 lidhur me statistikat.
Dhuli bëri një prezantim të masave të marra për ngritjen e treguesve dhe ecurinë e secilit objektiv përgjatë vitit të kaluar, por dhe në vijim.
“Nesër bëjmë publike botimin e tretë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërkohë që ‘dashboard’ është përditësuar në proces vazhdueshmërie dhe botimi përmbledh të gjithë indikatorët e rinj, të cilët janë të publikueshëm në ‘dashboard’. Ndërkohë jemi në proces të përgatitjes së fletëpalosjeje të shkurtër me një informacion përmbledhës për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, u shpreh Dhuli.
Ndër të tjera, drejtoresha e INSTAT, theksoi se në vitin 2022 do të kryhet censi i popullsisë dhe banesave, rezultatet e të cilit do të jenë një burim jashtëzakonisht i konsiderueshëm për rritjen e gamës së prodhimit të indikatorëve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të munguar deri më tani.
“INSTAT në objektivat e zhvillimit për periudhën 5-vjeçare ka vendosur të punojë jo vetëm për prodhimin e indikatorëve në nivel rajonal, por edhe në nivel qarku dhe deri në atë nivel detajimi që kërkohet për çdo indikatorë të përcaktuar nga OKB, si dhe me publikimin vjetor mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, vijoi ajo.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Milva Ekonomi, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila paraqiti angazhimet e institucionit që drejton për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku edhe theksoi rëndësinë e vlerësimit të nivelit të varfërisë në Shqipëri dhe marrjen e masave për reduktimin e saj.
Ekonomi vlerësoi se Bujqësia është sektori i parë i ballafaqimit me varfërinë ekstreme dhe e konsideroi atë si mundësi parësore për reduktimin e varfërisë.
Në përfundim të mbledhjes, Mesi vlerësoi arritjet e institucioneve të përfshira në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe theksoi se do të vijojë monitorimi i vazhdueshëm i këtyre objektivave. /j.p/r.e/












