Memorandum bashkëpunimi mes Prezencës së OSBE-së dhe Universitetit të Tiranës

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi mes të dyja institucioneve.

Marrëveshja e nënshkruar sot mes të dy palëve ka për synim formalizimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Universitetit dhe Prezencës, veçanërisht në fushat e kriminologjisë, edukimit ligjor të publikut të gjerë, drejtësisë kalimtare, si dhe gazetarisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Prezencës së OSBE-së dhe Universitetit të Tiranës, Del Monaco u shpreh se, “arsimi është një mjet i një rëndësie parësore për arritjen e një vargu përparësish që bëjnë pjesë një për një dhe së bashku në mandatin e Prezencës që kam kënaqësinë ta drejtoj këtu në Shqipëri”.

“Ushqej një interes të veçantë në lidhje me çështjen e arsimit, sepse pikërisht tek arsimi i ka rrënjët kultura e ligjshmërisë, e ka zanafillën kultura e qytetarisë, por edhe pikërisht aty lind e ardhmja e Shqipërisë. Kjo sepse universiteti si institucion nuk është vetëm vendi ku pedagogët derdhin litra e litra njohurie mbi trutë e studentëve, por aty ofrohet shumë më tepër, sepse duke pasur parasysh moshën e rritur të studentëve dhe aftësitë tuaja për ta shfrytëzuar si duhet pjekurinë tuaj akademike, studentëve iu jepet një potencial i madh, të cilin do ta përshkruaja si një lloj shumëfishuesi kejnesian, një faktor K, i cili shumëzon potencialin e tyre, dhe në të njëjtën kohë shumëzon shkallën e njohurive të tyre duke i çuar ato përtej nocioneve të thjeshta”, u shpreh Del Monaco.

“Në realitet, ju nuk i jepni vetëm arsim studentëve tuaj, por madje i edukoni ata, pra, i nxisni dhe i  drejtoni ata drejt zbulimit të të resë, duke i detyruar ata që të kapërcejnë cakun e njohurive të fituara të deri në atë pikë. Ndjej shumë kënaqësi, sepse jam thellësisht i bindur për atë që më pas mundohem t’ua transmetoj fëmijëve si pedagogu i familjes sime ditë për ditë, pra, që njeriu mund të jetojë për një kohë të gjatë i shtyrë nga forca e zakonit, por ai jeton me të vërtetë vetëm kur pushtohet nga parehatia. Universiteti është pikërisht vendi ku ngjallet kjo parehati te brezat e rinj, është vendi që i nxit që ta kenë këtë nevojë, këtë etje për dije që hedh themelet e Shqipërisë të së ardhmes duke shfrytëzuar pasurinë e Shqipërisë së sotme dhe ata shumë intelektualët e Shqipërisë të së kaluarës”, tha Del Monaco.

Kjo, theksoi Del Monaco, “është një pikënisje për ta zgjeruar më tej fushështrirjen e bashkëpunimit tonë, duke pasur OSBE-në si timon, parimet, vlerat dhe angazhimet që gjenden në dokumentet themelore të OSBE-së si busull, ndërsa juve si timonierë, sepse nuk ka asnjë erë të favorshme për atë që nuk e di se në cilin port duhet të shkojë”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.