Remitancat impakt në ekonomi, përbëjnë mbi 10 % të PPB-së

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës, si dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën, zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, mori pjesë si folëse në aktivitetin “Remitancat, ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit”, organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Remitancave.

Në fjalën e saj, Minxhozi fillimisht identifikoi vështirësitë dhe rreziqet e krijuara nga pandemia COVID-19 në ekonomi dhe nevojën e bankave qendrore për të zgjeruar sa më shumë gamën e instrumenteve, të cilat do të frenojnë recesionin ekonomik.

Në këtë drejtim, zëvendësguvernatorja theksoi se idetë dhe teknologjitë e reja kanë mundur të zhvillojnë mjete dhe mënyra efektive për të anashkaluar kufizimet dhe efektet e imponuara nga mbyllja e aktivitetit ekonomik dhe masat e distancimit social si pasojë e pandemisë.

Gjithashtu, Minxhozi theksoi se digjitalizimi i shërbimeve financiare, inovacioni i sistemeve monetare, sistemeve të komunikimit, kryerja e punës dhe ofrimi i shërbimeve publike në distancë, kanë lehtësuar jetën dhe kanë siguruar vazhdimin e veprimtarisë edhe gjatë pandemisë. Këto instrumente do të përmirësohen dhe më tej për të ofruar më shumë shërbime, komoditet dhe lehtësi përdorimi, si dhe, në mënyrë të veçantë, siguri në ndërveprim.

Zëvendësguvernatorja shtoi se këto zhvillime do të na mundësojnë të punojmë, të shkëmbejmë, të ndërveprojmë, të kryejmë të gjitha llojet e aktiviteteve dhe të ofrojmë të gjitha shërbimet në distancë dhe në kohë reale, me kosto relativisht më të ulëta se ato të metodave tradicionale. Të gjitha këto zhvillime vlerësohet se do të nxisin ndryshimin e strukturës së remitancave dhe rolit të tyre në ekonominë shqiptare.

Më tej, Minxhozi përmendi se në Shqipëri, remitancat përbëjnë mbi 10 % të PPB-së së vendit e, për rrjedhojë, analizat e detajuara të impaktit të tyre në jetën ekonomike janë thelbësore. Ajo vijoi me një analizë të ecurisë së remitancave në vend përgjatë vitit 2020. Më konkretisht, gjatë gjysmës së parë të vitit, kur goditja e pandemisë ishte më e fortë, remitancat u pakësuan ndjeshëm, megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të vitit, ato pësuan një rritje të shpejtë në terma vjetorë (9.2 %), e cila ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 (rritja vjetore shënonte 10.6 %).

“Ky zhvillim tregon se emigrantët kanë shtuar sasitë e dërguara në vend për të ndihmuar familjet e tyre të gjendura në vështirësi ekonomike si pasojë e krizës së COVID-19”, theksoi Minxhozi.

Në vijim, zëvendësguvernatorja e parë argumentoi se, bazuar edhe në studimet dhe anketat e Bankës së Shqipërisë, për familjet që marrin dërgesa nga emigrantët, remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave, duke zënë një përqindje relativisht të konsiderueshme të të ardhurave të tyre mujore.

Zëvendësguvernatorja përmendi se zgjerimi i prezencës fizike dhe asaj virtuale të ofruesve të shërbimeve nëpërmjet promovimit të bankës që funksionon me agjentë, si dhe dixhitalizimi i shërbime duke thyer barrierat gjeografike, i mbështetur edhe nga një kuadër prudencial për mbrojtjen e konsumatorit, do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e efikasitetit të shërbimeve të ofruara në tregun e remitancave.

Në përfundim, Minxhozi nënvizoi arritjet aktuale në kuadër të objektivave strategjikë sa i përket modernizimit të tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe Strategjisë Kombëtare të Diasporës, të cilat përmbushen me miratimin e ligjit dhe nëpërmjet masave të tjera të ndërmarra.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.