Osmani zgjat mandatin teknik të EULEX-it

PRISHTINË, 15 qershor /ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, përmes një letre drejtuar shefit të diplomacisë europiane Josep Borrell e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit.

Në letrën drejtuar Borell, presidentja Osmani ka njoftuar se EULEX-i do të jetë me mandat teknik, pa fuqi ekzekutive dhe i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshillë dhënie, bazuar në letërkëmbimin e vitit 2018 dhe kërkesave të paraqitura nga ajo në letrën e dërguar më 14 qershor.

I njëjti mandat mund të vazhdohet edhe për një vit tjetër, në rast të vlerësimit pozitiv të punës së këtij misioni nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Osmani ka propozuar, që me kërkesë dhe bazuar në nevojat e identifikuara nga institucionet e Kosovës – institucionet e BE-së ofrojnë ekspertizë, shërbime këshilluese si dhe ndihmë financiare, në çështjet që lidhen me proceset e reformës në drejtësi.

Po ashtu, Osmani ka ftuar EULEX-in për mbështetje teknike e këshillëdhënëse në çështjet që derivojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta garantuar sundimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky mandat i EULEX-it është mandat teknik, i bazuar ekskluzivisht vetëm në rol këshillëdhënës, mentorues dhe monitorues në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.