Ballina Aktualitet

Teatri Kombëtar/ Gjykata Kushtetuese zhvillon seancën e parë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot seancën e parë për shqyrtimin e padisë së depozituar nga Presidenti i Republikës në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar 17 majin e vitit të kaluar.

Në seancën e parë të ditës së sotme u vendos që të pranohen provat shtesë, ndërsa nuk u vlerësua thirrja e dëshmitarëve, kërkesë e bërë nga përfaqësuesi ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që Presidenca brenda datës 8 qershor, ora 12:00, duhet që të sjellë dokumentet e listuara nga kërkuesi, ndërsa la afat datën 10 qershor për shpjegimet shtesë pasi të paraqiten dokumentet e reja.

Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Adriana Kalaja, në një prononcim për mediet tha se, “kemi kërkuar përveç dëshmitarëve edhe mundësinë për të paraqitur ekspertë dhe gjykata e pranoi këtë kërkesë tonën dhe eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, pra një ekspert që ka dijeni të posaçme, pasi i gjithë ngërçi në këtë gjykim kushtetues është se palët e interesuara duke filluar nga Kuvendi, Kryeministri apo Ministria e Kulturës, ministria e Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri Kombëtar nuk ka qenë monument kulture”.

Kalaja u shpreh se “në të kundërt ne do vërtetojmë që teatri jo vetëm ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture por heqja është bërë në mënyrë të qëllimtë për t’i hapur rrugë prishjes së teatrit”.

Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj deklaroi se “gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar, që për fat të keq u cenua, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani”.

Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca e radhës për çështjen e Teatrit Kombëtar të zhvillohet në 15 qershor.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak30 qershori, afati përfundimtar për deklarimin individual vjetor të të ardhurave
Artikulli tjetërVeprimtaria e AIDSSH në vitin 2020/ Sula raporton në Kuvend: 52 867 dokumente të deklasifikuara