Ballina Ekonomi

MIE publikon rregulloren e re për shërbimet postare

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar projektvendimin mbi rregullat e reja për shërbimet e dërgesave të pakove postare ndërkufitare.

Në projektvendimin e MIE-s përcaktohen kërkesat specifike për nxitjen e ofrimit të shërbimeve më të mira postare për dërgesat ndërkufitare të pakove postare.

Sipas MIE-s, nevoja e këtij rregullimi lidhet me zhvillimin e tregtisë elektronike (e-commerce) përmes përmirësimit të shërbimeve postare ndërkufitare.

“Projektakti ka për qëllim të transpozojë rregulloren e Parlamentit Europian dhe të Këshillit të vitit 2018 “mbi shërbimet e dërgesave të pakove postare ndërkufitare” dhe është parashikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2021”, thuhet në projektvendimin e MIE-s.

Sipas projektvendimit, të gjithë ofruesit e shërbimeve postare që ofrojnë shërbimin e dërgesave të pakove/kolive paraqesin në AKEP informacionin lidhur me emrin, statusin dhe formën ligjore, numrin e identifikimit të subjektit në regjistrin e biznesit, adresën dhe detajet e kontaktit të personit të kontaktit, karakteristikat, dhe kur është e mundur një përshkrim të detajuar, të shërbimeve të ofruara për dërgesat e pakove.

Nëse informacioni është depozituar më parë në AKEP, atëherë ofruesit e shërbimeve të dërgesave të pakove/kolive duhet të njoftojnë AKEP për çdo ndryshim të informacionit të dhënë brenda 30 ditëve nga momenti i ndryshimit.

Të gjithë ofruesit e shërbimeve të dërgesave të pakove/kolive, brenda datës 30 qershor të
çdo viti kalendarik, duhet të dërgojnë në AKEP informacionin mbi të ardhurat vjetore nga shërbimet e dërgesave të pakove për vitin kalendarik paraardhës, të ndarë në shërbime të dërgesave të pakove të brendshme dhe të pakove ndërkufitare në dalje dhe në hyrje.

Po ashtu, numrin e personave të cilët kanë punuar për ta gjatë vitit kalendarik paraardhës, të përfshirë në shërbimet e dërgesave të pakove, si numrin e pakove të përpunuara gjatë vitit kalendarik paraardhës, si dhe kur është e disponueshme, listën e çmimeve të aksesueshme publikisht, për shërbimet e dërgesave të pakove/kolive, të aplikueshme nga data 1 janar e çdo viti. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Izraeli shfuqizon pothuajse të gjitha kufizimet
Artikulli tjetërFOKUS – Gjermania i jep fund prodhimit të uraniumit