BERLIN, 27 maj /ATSH-DPA/ – Zinedine Zidane ka vendosur të largohet nga pozicioni i tij si trajner i Real Madrid, deklaroi klubi spanjoll.
“Tani është koha për të respektuar vendimin e tij dhe për të treguar vlerësimin tonë për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin e tij gjatë gjithë këtyre viteve, dhe për atë që ai përfaqëson me figurën e tij për Real Madrid”, theksoi klubi në një komunikatë.
Trajneri francez kishte një kontratë deri në qershor 2022, por thuhet se u kishte thënë tashmë lojtarëve të Real Madrid në maj se ai do të largohej nga klubi në fund të sezonit 2020-21.
Në dy periudha si trajner i Real Madrid, Zidane fitoi Ligën e Kampionëve tre herë dhe Ligën Spanjolle dy herë, por e përfundoi këtë sezon pa një trofe, që do të thoshte se Reali nuk fitoi një titull për herë të parë në 11 vjet./ /ec/






















