TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra Desart Avdulajn, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, për subjektin e rivlerësimit Desart Avdulaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës, vendosi sot shkarkimin nga detyra të tij.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Roland Ilia, Xhensila Pine relatore, Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, me përjashtim të pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit. /j.p/r.e/













