ROMË, 24 maj /ATSH-ANSA/ – Ajo që ka ndodhur është e papranueshme dhe Bashkimi Europian duhet të jetë i bashkuar, ne nuk duhet të përçahemi nga aktorë të tretë sepse pikërisht është kjo arrogancë që na çon drejt veprimeve të tilla, deklaroi ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio duke iu referuar rrëmbimit të djeshëm të një avioni dhe uljes së tij në Minsk.
Një avioni kompanisë ”Ryanair” u ul në Vilnius të dielën në mbrëmje, pas një devijimi prej shtatë orësh në kryeqytetin bjellorus, Minsk.
Fluturimi ”Ryanair FR4978” ishte rrugës për në kryeqytetin lituanez nga Athina, kur autoritetet bjelloruse e urdhëruan atë të kthehej dhe të ulej në Minsk, duke thënë se kishte një kërcënim të mundshëm të sigurisë në bord.
Asnjë kërcënim i tillë nuk u gjet në aeroplan.
Por, gazetari i shquar i opozitës bjelloruse Roman Protasevich, i cili ishte një pasagjer në bord, u arrestua.
”Pasagjerët dhe ekuipazhi kaluan rreth shtatë orë në Minsk para se avioni të nisej për në Vilnius”, deklaroi ”Ryanair”.
Deklarata e linjës ajrore irlandeze nuk përmendi Protasevich./ /ec/












