TIRANË, 24 maj /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Dimalit hap konkursin për emblemën, logon dhe “brand book”-un e qytetit.
Pas zyrtarizmit të emrit të ri, Bashkia e Dimalit organizon konkursin për dizenjimin e Emblemës dhe Logos së re të qytetit, si dhe përgatitjen e një “brand book” për promovimin e vlerave arkeologjike dhe kulturore të zonës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetarja e bashkisë Juliana Memaj deklaron se logoja që do të përzgjidhet nga një juri profesioniste, në përbërjen e së cilës janë artistë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, do të përdoret për promovimin e qytetit, si dhe në të gjitha shkresat zyrtare të bashkisë së Dimalit.
Të gjithë të interesuarit kanë afat të dërgojnë propozimet e tyre nga data 25.05.2021 deri në 25.06.2021, në adresën elektronike: [email protected]. Secili nga kandidatët mund të paraqesë vetëm një propozim. Fituesi do të marrë edhe një çmim 100.000 lekë (të reja), ku përfshihen edhe taksat e aplikueshme./r.e/





















