Ballina Aktualitet

Shkarkimi i Metës/ Komisioni Hetimor, seancë dëgjimore me ekspertët ligjorë

TIRANË, 21 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës u mblodh sot për të dëgjuar ekspertët ligjorë.

Gjatë fjalës së tij, eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se Presidenti sipas Kushtetutës, duhet të jetë mbi palët dhe sjellja e tij duhet të jetë e paanshme.

“Qasja që ekziston në republikat parlamentare është se Presidenti parashikohet të jetë në një rol neutral mbi palët, që i jep mundësi të jetë një lloj arbitri në rastin e krizave në vend. Si rregull këto kompetenca janë formale, pra më shumë shfaqin autoritetin shtetëror po janë formale si kompetenca. Nuk merr pjesë në drejtimin politik të vendit, që si rregull mbetet përgjegjësi e Kuvendit dhe e qeverisë”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen e dytë se cilat janë kompetencat e Presidentit sipas Kushtetutës, Mërkuri tha se përveç atyre që parashikohen në Kushtetutë, Presidenti për shkak të funksionit që ka dhe atë që njihet ndryshe si liri e shprehjes dhe kritikës për të vepruar, për të mbajtur një qëndrim për fenomene, ngjarje apo marrëdhënie të caktuara.

“Mënyra si ushtrohen këto kompetenca, neni 93 i Kushtetutës thotë se Presidenti në zbatim të kompetencave të tij nxjerr dekrete, dhe kjo është për pjesën më të madhe të kompetencave të presidentit, por për shkak të natyrës mund të veprojë me kërkesë. Rasti i dytë është kur kërkon informacion nga institucionet shtetërore”, vijoi ai.

“Për sa i përket lirisë së shprehjes dhe kritikës referuar dhe praktikave të gjykatave kushtetuese të disa vendeve, rezulton që vërtet presidenti e ka, por duke u nisur nga pozicioni si kryetar i shtetit kjo qasje duhet të jetë e vetëpërmbajtur, pra me gjuhën e tij nuk duhet të krijojë konflikte institucionale, nuk duhet të ulë apo të ngrejë autoritetin e një institucioni në favor të një institucioni tjetër dhe për më tepër gjuha e tij duhet të jetë korrekte sipas praktikave të Gjykatave Kushtetuese të huaja”, tha Mërkuri.

Një tjetër qasje është në raport me ligjet, tha Mërkuri.

“Ka vërtet të drejtë Presidenti të kritikojë ligje, por nisur nga praktika e Lituanisë dhe Koresë së Jugut, ai mund të ushtrojë veton dhe më pas nëse Kuvendi shprehet ndryshe mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Jashtë këtyre Presidenti konsiderohet se nuk mund të shprehet, sepse kjo lidhet me formulën e betimit në këto shtete. Po ta shohim formulën e betimit në Kushtetutën e Shqipërisë, një nga elementët që ka është se do t’i bindet ligjeve. Kështu që Presidenti nuk mund të marrë rol kritik ndaj një institucioni të caktuar, sepse është detyrim i tij kushtetues t’i qëndrojë betimit kur ka marrë detyrën”, vijoi eksperti.

Mërkuri shtoi se procedurat e shkarkimit të presidentit janë të ndryshme, por në shumicën e rasteve janë procedura parlamentare dhe nuk përfshihet organet gjyqësore si rregull. Ka vende që fusin në një formë të caktuar procedurën gjyqësore, varet nga  shteti.

“Doktrina e huaj na cilëson si një vend të veçantë në këtë aspekt sepse shikon Gjykatë Kushtetuese përgjithësisht si finale, ndërkohë ka vende si Lituania, që pasi bën hetimin Parlamenti i drejtohet gjykatës nëse shkeljet qëndrojnë apo jo, dhe pasi gjykata është shprehur, Parlamenti mund të mbajë dhe qëndrimin politik. Në vende të tjera shkohet në Gjykatë të Lartë pastaj në Parlament, pastaj në Gjykatë kushtetuese, ka disa formula. Në rastin e Koresë së Jugut në 2004, gjykata mbajti një qëndrim me lirinë e shprehjes së Presidentit në fushata elektorale. Gjykata Kushtetuese u shpreh pavarësisht se zgjidhesh politikisht, pavarësisht se vjen nga një parti politike nuk ka asnjë asnjë justifikim që presidenti të shkeli neutralitetin e fushatës elektorale. Kjo lidhet me postin e Presidentit si kreu i shteti dhe përfaqësuesi i popullit”, theksoi ai.

Anëtari i komisionit hetimor, Spartak Braho ngriti pyetjen se a duhet të jetë Presidenti garant i Kushtetutës.

Nga ana e tij, eksperti Merkuri tha se “ai është garant i Kushtetutës, si çdo institucion tjetër”.

“Në Shqipëri garant kushtetues ka pasur në kohë të ndryshme. Hera e parë ishte në 1932-shin. Garant në këtë kohë doli parlamenti i asaj kohe. Kjo gjë u ruajt dhe nga regjimi komunist. Në 91-shin, Kushtetuta e 76-ës u shfuqizua pak. Këtu për herë të parë del garant kushtetues presidenti. Në atë kohë nuk kishim Gjykatë Kushtetuese. Ajo u krijua një vit pas. Prapë, dhe ligji i ri thotë; Gjykata Kushtetuese është garante e Kushtetutës. Në 98-ën u hoq nocioni: presidenti garant i Kushtetutës. Me reformën e 2016-ës, rezulton se për Gjykatën Kushtetuese thuhet se gjykon Kushtetutën dhe parimet e saj”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFamilja mbretërore më e pasur në Europë nuk është ajo angleze
Artikulli tjetërKryeprokurori Çela i kërkon ILD-së të hetojë shkeljet në detyrë të 2 prokuroreve të Dibrës dhe drejtuesit të Prokurorisë