Ballina Flash

KAS përfundon rinumërimin: Zgjedhjet në Berat të vlefshme

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Rinumërimi i 114 kutive të votimit nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk solli ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve për qarkun e Beratit.

Mandatet në qarkun Berat, 5 për Partinë Socialiste dhe 2 për Partinë Demokratike nuk ndryshojnë.

Nga 114 kutitë e numëruara, LSI ka marrë vetëm 15 vota plus, nga 77 që i duheshin për t’i marrë mandatin Partisë Socialiste. Vendimi për rinumërim përfshiu votat për partitë politike dhe vetëm 2 kuti për kandidatët.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, tha se rinumërimi tregoi edhe një herë që procesi ka qenë i rregullt dhe ligjor.

“Ne e pranuam kërkesën për rinumërim për të hequr çfarëdolloj dyshimi. Ndryshimet e vetme që ndodhin në seancë kanë të bëjnë vetëm me mënyrën dhe standardin e vlefshmërisë së votës. Edhe raporti PS-PD 20 me 9 është i njëjti raport siç ka dalë rezultati, pra 2 me 1 raporti. Janë gabime njerëzore të ndodhura që s’mund ta bëjnë procesin pis”, tha ai.

Përfaqësuesi i LSI, Altin Kaziaj kërkoi hetim, pasi sipas tij, edhe ndryshimi i këtij rezultati nuk është pak.

“Minus 20 në 114 kuti nuk janë pak, 15 vota plus në 114 kuti për LSI nuk janë pak. Ndaj duhet një hetim administrativ. Duhet të silleni me dinjitet”, tha Kaziaj.

KAS gjithashtu rrëzoi kërkesën për shpalljen e pavlefshme të 3 qendrave të votimit të kërkuara nga LSI, për shkak se konsiderohet si e gjykuar më parë në kërkesën e LSI për shpalljen pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Beratit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKim vlerëson punën e Kushtetueses: Rastet e vështira po vijnë, Reforma në Drejtësi është e vërtetë
Artikulli tjetërUASHINGTON – FMN plan 50 miliardë dollarë për t’i dhënë fund pandemisë