ROMË, 20 maj /ATSH-ANSA/ – Sa më të çuditshme dhe të ndërlikuara të jenë ëndrrat, aq më shumë i mundësojnë ato trurit që të dalë nga modelet e bazuara në vëzhgimin e thjeshtë të fakteve në jetën e përditshme dhe të përshtatet më mirë me realitetin për ta kuptuar atë.
Kjo është hipoteza e re e arritur me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e botuar në revistën “Patterns”.
“Rrjetet nervore janë të frymëzuara nga mënyra se si funksionon truri, kështu që përdorimi i tyre për të studiuar ëndrrat na dukej e natyrshme”, tha Eric Hoel, drejtuesi i hulumtimit.
“Një nga ndryshimet është se, ndërsa është e mundur të çaktivizohet të mësuarit në rrjetet nervore artificiale, e njëjta gjë nuk mund të bëhet me trurin, që gjithmonë vazhdon të mësojë gjëra të reja”.
“Ekziston një numër i pabesueshëm i teorive përse ne ëndërrojmë. Ideja jonë është se përvoja e ëndrrave është arsyeja që ne ëndërrojmë”.
Sipas Hoel, ëndrrat tona, ndërlikueshmëria dhe çuditshmëria e tyre janë të dobishme për të ndihmuar trurin tonë për të përgjithësuar më mirë përvojat tona të përditshme.
Në përfundim, shkencëtari sqaron se “për të kundërshtuar familjaritetin e përvojave të përditshme, truri krijon një variant të çuditshëm të botës”./ /ervo/













