TIRANË, 14 maj /ATSH – I. Vata/ Ministria e Drejtësisë vijon inspektimet e institucioneve të varësisë në Shkodër.
Gjatë inspektimeve në terren tek institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë për verifikimin e përmbushjes së objektivave dhe cilësisë së shërbimit në përfitim të qytetarëve, një ekip i Ministrisë nën drejtimin e zv.ministrit të Drejtësisë, Klajd Karameta, kreu një kontroll në Shkodër tek institucioni i Shërbimit të Provës dhe Zyrës së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.
Karameta vizitoi zyrën vendore, inspektoi dosjet dhe praktikat ligjore, si edhe bashkëbisedoi, jo vetëm me punonjësit e Shërbimit të Provës dhe të Përmbarimit Shkodër, por edhe me qytetarë të ndryshëm si marrës të shërbimeve.
Gjithashtu u verifikua dhe zbatimi i protokolleve antikovid, si dhe zv.ministri Karameta u kërkoi strukturave vendore të këtyre institucioneve në qytetin e Shkodrës, që në asnjë rast të mos cënojnë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe të bashkëveprojnë maksimalisht me institucionet vendore në fushat respektive të aktivitetit të përditshëm.
/r.e/























