Ndryshimet në Kodin Rrugor

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Kuvendi miratoi së fundmi ndryshimet në Kodin Rrugor përmes së cilave synohet siguria e jetës në rrugë.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja publikoi sot disa nga këto ndryshime, ndër të cilat përputhja me Direktivën e BE për afatet e Kontrollit Teknik (Kolaudimi).

Disa nga ndryshimet në Kodin Rrugor, propozuar ose lobuar nga DPSHTRR:

-Kolaudimi kryhet çdo dy vjet për mjetet me km; çdo 1 vit mjetet taksi, autoshkolla, transporti udhëtarësh; pas tre viteve nga regjistrimi i parë në Shqipëri për mjetet e reja. Heqja e vulës nga leja.
– Futja e masës këshilluese, pa gjobë, me pasqyrim në sistem, për kundravajtjet e lehta dhe pa pasoja të herës së parë.
– Rikthim në kurs autoshkolle nga e para për drejtuesit e mjeteve që iu anulohet Lejedrejtimi për shkelje të rënda.
– Rritje e afatit për ndryshimin e pronësisë së mjetit, deri në 30 ditë, pastaj gjobitesh.
– Heqje e afateve të pritjes (15-30 ditë) për humbje/vjedhje dokumenta ose targa mjeti. Lëshimi menjëherë i dokumenteve/targave të reja.
– Hiqen kufizimet që detyronin 12 muaj kohë para se të aplikoje për një kategori më të lartë lejedrejtimi (Direktiva 2003/59/EC)
– Për kategori Lejedrejtimi për mjet transporti publik, D1, D (dhe taksi) hiqet detyrimi për aftësim transporti mallrash. Risi, kalimi direkt nga kategoria B, pas tre viteve, te kategoria D1 (mosha minimale 21 vjeç) dhe më pas te kategoria D (mosha minimale 24 vjeç).
– Përafrim me Direktivën 2003/59/EC duke bërë që disa kategori lejedrejtimi të vlejnë edhe për kategoritë më të ulëta.
– Rritje e afatit të vlefshmërisë së kualifikimit në testin e teorisë, nga 6 në 12 muaj.
– Afati i vlefshmërisë (5 vjeçar) për lejedrejtimet D1, D1E, D dhe DE, sipas grupmoshave, janë të vlefshme për persona deri në 65 vjeç.
– Rregullim për vespat për riregjistrimin nga targat retro në targa blu standard.
– Saktësim kategorie biçikletë/mjet me pedale. Rregullim i paqartësive për mjetet e importit nga Kina.
– Rregullim përkufizimi për ciklomotorët, shtuar edhe mjetet e tilla me 4 rrota.
– Materialet e formimit të kursantit për lejedrejtimi duhet të certifikohen nga MIE-DPSHTRR. Penalizohet çdo botim jozyrtar, i paunifikuar e i paharmonizuar.
– Përcaktohet se DPSHTRR ngarkohet me ligj të destinojë nga të ardhurat si ent për programe edukative mbi sigurinë rrugore.

Ndryshimet e tjera janë të karakterit të ashpërsimit të masave, gjobave, penaliteteve për kundravajtjet e përsëritura, për drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit, shpërqendrimin nga celulari, mosvendosjen e rripave të sigurimit para e mbrapa, manovrat e rrezikshme, qarkullimin pa siguracion të detyrueshëm, për zbatim nga organet e kontrollit të Policia e Shtetit.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.