BM – Sturgeon premton referendum për vetëvendosje

GLASGOU, 7 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministrja skoceze dhe udhëheqësja e partisë indipendentiste SNP, Nicola Sturgeon, u premtoi sot skocezëve një referendum të ri për vetëvendosje “kur të jetë koha e duhur”, nëse partia e saj fiton në zgjedhjet lokale.

Megjithëse ka ende rrugë përpara njoftimit të rezultateve të plota që priten të shtunën, Sturgeon tha se ishte “jashtëzakonisht e sigurt se jemi në rrugën e duhur në SNP për një fitore të katërt rradhazi elektorale”, sipas sondazhit të organizuar të enjten.

Udhëheqësja skoceze beson se partia e saj “është në rrugën e duhur për të pasur sërish privilegjin e formimit të një qeverie”.

“Nëse ky është me të vërtetë rezultat i këtyre zgjedhjeve, unë premtoj sot që të kthehem në punë menjëherë, për të rimëkëmbur këtë vend pas COVID-19 dhe kur të vijë koha e duhur t’i ofrojmë këtij vendi zgjedhjen e një të ardhme më të mirë”, shtoi Sturgeon.

Në rast fitoreje në këto zgjedhje, kryeministrja skoceze synon të bëjë presion mbi qeverinë britanike për të autorizuar një referendum të ri për vetëvendosje.

Kryeministri Boris Johnson kundërshton me forcë një referendum të ri duke argumentuar se një konsultë e tillë mund të ndodhë vetëm “një herë në një brez”.

Nicola Sturgeon dëshiron që Skocia të fitojë pavarësinë dhe më pas kërkon të bashkohet me Bashkimin Europian./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.