“Aktet e Presidentit jo normale”/ Ferhati: Nesër e presim në Komisionin e Ligjeve

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati u shpreh se dëgjesa me Presidentin do të zhvillohet ditën e nesërme, datë 6 maj.

Gjatë një interviste televizive Ferhati tha se, “ky është një proces shumë serioz. Është një proces që Kuvendi ja ka detyrim shqiptarëve. Nuk mund të themi sot një rezultat, kemi një procedurë përpara. Kemi 49 kolegë të Kuvendit që kanë bërë një kërkesë me argumentin se Presidenti i Republikës gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e heshtjes zgjedhore ka kryer disa deklarata duke cenuar detyrën e tij primare, të jetë mbi palët dhe të ruaj paanësinë politike, si detyrë kushtetuese e tij. Kjo s’do të thotë të mos jetë politik, por duhet të jetë i kujdesshëm, i vetëpërmbajtur dhe gjatë deklaratës së tij të mos deklarata të tilla që cenojnë interesin e përgjithshëm, apo që dukshëm ndikon në njërën anë apo tjetrën, sepse pabarazia politike aq më tepër në fushata zgjedhore të stisur apo nxitur nga Kreu i Shtetit është e tillë që rrezikon demokracinë dhe të gjitha argumentet që kanë paraqitur kolegët deputet është e tillë që ngrenë dyshimet dhe inicion një procedurë në mes”,- tha Ferhati.

“Komisioni i Ligjeve pasi njoftohet nga Kreu i Kuvendit, menjëherë mblidhet dhe shqyrton nëse kërkesa është e tillë që lejon vijimin e procedurës dhe kjo procedurë vijon pas raportit të Komisionit të Ligjeve, pasi po shqyrtohet kjo kërkesë dhe nëse dalim që procedura do të vijoi, do të jetë seanca plenare që cakton ngritjen e Komisionit Hetimor. Dhe ky Komision shqyrton në themel të gjitha kërkesat dhe më pas seanca plenare kur mbaron Komisioni Hetimor dhe vlerëson se ka legjitimitet në shkarkimin e Presidentit, kalon te Gjykata Kushtetuese për miratimin përfundimtar të shkarkimit të Presidentit”,- u shpreh Ferhati.

“Nesër data 6 maj, kemi seancën në Komisionin e Ligjeve ku Presidenti do thirret të dëgjohet, siç ka kërkuar dhe ai. Më pas komisioni do të diskutoi për shqyrtimin e kërkesës paraprake dhe në fund do dali me një konkluzion që do ja dërgoj Kuvendit në seancë plenare”,- tha Ferhati.

“Deri në orarin zyrtarë nuk ka patur përgjigje nga Presidenti. Presidenti është njoftuar për komisionin për sot, ai ka kërkuar të dëgjohet në këtë komision, të krijohet kjo mundësi pra, është e drejtë legjitime e tij dhe për këtë i kemi kërkuar që kjo të jetë nesër dhe kjo i takon Komisionit të Ligjeve, koha dhe data është tagër i Komisionit të Ligjeve dhe ky komision ka vendosur me 12 vota pro të realizohet nesër seanca dëgjimore”,- përfundoi Ferhati.

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.