KQZ konfirmon mandatin e deputetit të PD-së, Zef Hila në Shkodër

TIRANË, 4 maj /ATSH – I. Vata/ Pas verifikimit të prokurorisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar mandatin e Zef Hilës, deputetit të zgjedhur të Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, sekretari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ylli Merkaj bëri publike përgjigjet që kanë ardhur nga tre institucione, drejtoria e Burgjeve, drejtoria e Gjendjes Civile dhe Prokuroria e Përgjithshme.

“Zef Hila ka depozituar në KQZ formularin e vetëdeklarimit ku nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me ndalimet nga ligji. Në përgjigje të shkresës së KQZ, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar ka një vendim të gjykatës së Shkodrës ku është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Drejtoria e Gjendjes Civile ka deklaruar se Hila nuk ka bërë ndryshim të gjeneraliteteve. Hila nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të nenit 2 apo për moszgjedhshmërinë. Për këtë arsye KQZ ka miratuar listën e PD-AN në 12 qarqet. Duke qenë se prokuroria e përgjithshme pasi ka kryer verifikimet e nevojshme brenda vendit, referon se Hila nuk është deklaruar fajtor për veprat penale dhe nuk ka indicie për dënim jashtë territorit të Shqipërisë”, u shpreh Merkaj.

Emri i Zef Hilës, iu nënshtrua një verifikimit të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ishte nën hetim për abuzim me detyrën e zyrtarit publik. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.