Ballina Flash

Muzhaqi: PD të mos e vonojnë procesin, duke kërkuar vazhdimisht pushim

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, tha se “ndërkohë që shqiptarët presin përfundimin sa më parë të numërimit, u bëjmë miqësisht një apel publik rivalëve tanë të Partisë Demokratike të mos e vonojnë procesin, duke kërkuar vazhdimisht pushim”.
Në një deklaratë për median Muzhaqi theksoi se “Nuk ka kohë për pushim! Qytetarët meritojnë ta mësojnë një orë e më parë rezultatin përfundimtar të një ndeshjeje kaq të rëndësishme mes dy vizionesh dhe platformash krejt të ndryshme, e cila ndezi për javë të tëra debatin publik”.
Sipas saj, ata janë shprehur qartë dhe partitë kanë detyrën t’u shërbejnë në nxjerrjen e rezultatit pa humbur asnjë minutë. Shqipëria ka fituar një festë demokratike që s’duhet prishur me zgjatje të panevojshme dhe të padobishme për askënd.
“Në emër të Partisë Socialiste dhe kryetarit Edi Rama, i falenderoj të gjithë numëruesit e vëzhguesit tanë të palodhur dhe u kërkoj të vazhdojnë me këmbëngulje e korrektesë shembullore punën e tyre. Durim dhe angazhim deri në fund, që çdo votë të numërohet në respekt të plotë të Sovranit. Fitorja e Partisë Socialiste është shumë e qartë tanimë, por fitorja e Shqipërisë duhet vulosur me angazhimin e përbashkët me Partinë Demokratike për ta mbyllur numërimin pa humbur kohë.”- deklaroi ajo.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQarku Korçë/ Numërohen 154 qendra votimi nga 427 në total, PS 47.25%, PD-AN 41.71%
Artikulli tjetërBalluku: PS ka fituar bindshëm edhe në bastionet e PD në Kombinat