Spaho: Me programin e PD, fshati do të zhvillohet ekonomikisht

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Në takimet para mbylljes së fushatës elektorale, koordinatori i PD në Korçë, Edmond Spaho ritheksoi dështimin e qeverisjes, që sipas tij e ka futur Shqipërinë në një krizë të thellë.

Spaho tha se Rama nuk realizoi asnjë nga premtimet, si 300 mijë vende pune, shëndetësia falas, ulja e taksave për 95 % të shqiptarëve, integrimi europian dhe shumë të tjerë.

Me qeverinë e re, tha Spaho, kur të hapen negociatat bujqësia do ketë avantazhe të mëdha pasi fermeri shqiptar do të ketë  të njëjtin status me fermerin grek dhe të tjerë europian.

“Ata do të eksportojnë produktet dhe në vendet jashtë BE, si të ishim vend anëtar i BE. Me programin e PD, fshati do të zhvillohet ekonomikisht edhe nga lehtësitë e konsiderueshme fiskale. Do vendosim taksën e sheshtë 9 %, do të ulim tatimin mbi të ardhurat që të shtohen investimet, paratë në xhepat e shqiptarëve dhe punësimi. Do të rrisim pagat dhe pensionet 25 % do të dyfishohet ndihma ekonomike dhe ndër të tjera do të paguajmë tarifat e universitetit për familjet me të ardhura të ulëta”, u shpreh Spaho.

Spaho duke shprehur bindjen për votë masive të PD numër 9, tha se zgjedhjet janë betejë jo për të fituar mandate personale, por për të ngritur qeverinë e reformave të thella.

“Për ne ka rëndësi që t’i japim vendit qeverisjen e cila do të zbatojë reformat. Me Lulzim Bashën kryeministër, vendi do t’i kthehet normalitetit, do të zhvillohet ekonomia dhe do të hapen negociatat me BE”, tha Spaho. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.