Meta: Struktura për mbrojtjen e votës, e drejtë legjitime e opozitës

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës.

Në një intervistë televizive nga Vlora, Meta tha se “e ftoj Ramën për të disatën herë për një debat televiziv në Vlorë. Por jam i bindur se nuk do të vijë. Kjo tregon qartë që është në gjendje shumë të rëndë”.

“Edi ka frikë të ballafaqohet me mua para Vlorës dhe para të gjithë popullit, sepse e ndjen që është i humbur në debat, pa filluar”, theksoi Meta.

I pyetur për konfliktin e Elbasanit, Presidenti Meta u shpreh se, “konfliktin në Elbasan e stisi Edi Rama, i cili është i vetmi përgjegjës për atë situatë dhe për të gjitha zhvillimet dramatike aty. Ngjarja e rëndë ndodhi në praninë e policisë, që tregon se ky është një shtet i kapur nga krimi”.

“Struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, në kushtet kur Damiani në vend që të ishte sot në burg është kandidat për deputet, kur struktura kriminale të Rilindjes vazhdojnë me manovra për blerjen e votës dhe presione ndaj qytetarëve”, u shpreh Meta.

“Për këtë ofertë të tyre poshtëruese, Rilindja do ndëshkohet në mënyrën më shembullore më 25 Prill”, theksoi Meta.

Ndaj, shtoi Meta, “tani është koha për përmbysje demokratike, për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë prej tij dhe strukturës kriminale që ka kapur shtetin”.

“Jam i bindur se qytetarët vlonjatë dhe të gjithë shqiptarët janë ndërgjegjësuar se do të ndahen prej tij më 25 prill, duke dalë masivisht në votime”, tha Meta.

“Nëse ne nuk do kishim këtë Prokurori, nuk do kishim këtë situatë alarmante të drejtësisë në vend. Nëse do kishim Prokurori, Adrian Dvorani sot do ishte në burg, për vjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Presidentit të Republikës”, shtoi Meta.

“Këtu është kapur shteti, një pakicë komandon shumicën. Prandaj në 25 prill jemi për një përmbysje dhe jo ndryshim të pushtetit”, theksoi Meta.

Presidenti Meta tha se, “forca e LSI nuk kam qenë unë, nuk është tani as Monika, por janë mijëra të rinj e të reja, figura të pastra dhe energjike, që e duan Shqipërinë. Forca e kësaj partie është rinia dhe unë pata mundësinë ta ndiqja live dhe mitingun e tyre sot, që më konfirmoi këtë fakt”.

“Një meritë që ka Rilindja dhe që unë ja njoh është se e pastroi LSI nga llumi dhe nga simbolet e korrupsionit që i ka marrë në gjirin e saj, siç janë anëtarët e mafies së inceneratorëve, që sot janë kandidatë të Rilindjes në Durrës dhe Tiranë”, u shpreh Meta.

“Sa i përket porosisë së tij për Damianin për të bërë “tërmet” në Vlorë, unë kam një mesazh: “Vlora ja bën fora, bjeri moj të lumtë dora” për këdo që do guxojë të prekë votat. Siç e kam thënë edhe më herët unë në Vlorë do jem për të ndjekur procesin e numërimit të votave”, theksoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.