Tabaku me intelektualë e pedagogë: Të gjithë brezat e PD-së janë bërë bashkë për ndryshimin

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidatja për deputete e PD-së, Jorida Tabaku ka zhvilluar sot një takim me themelues të PD, intelektualë e pedagogë.

Themelues të Partisë Demokratike, studentë të Dhjetorit 1990, intelektualë e pedagogë u bënë bashkë për të mbështetur kandidaten për deputete të Partisë Demokratike, Jorida Tabakun.

Takimi, ishte një bashkim i të gjithë brezave në Partinë Demokratike, në frymën e ndryshimit që po vjen për vendin.

Në një takim të organizuar në Qytetin Studenti, aty ku shpërtheu revolta e studentëve, që rrëzoi regjimin komunist dhe e hapi vendin drejt Europës, mesazhi i tyre ishte i qartë: Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për t’u kthyer në normalitet, për të realizuar ëndrrën europiane dhe për të pasur një qeveri që punon për njerëzit, duke u dhënë zgjidhje problemeve në çdo sektor.

Themelues të Partisë Demokratike, si Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Arben Demeti, Neritan Ceka e të tjerë theksuan faktin se Partia Demokratike është një parti që në zemër të saj ka intelektualët dhe pasionin për të punuar për vendin, për ta bërë atë pjesë të Bashkimit Europian.

“Intelektualët dhe mendjet e vendit, këtu në Partinë Demokratike e kanë patur strehën”, nënvizoi Tabaku.

Pjesëmarrësit, mes të cilëve ishin pedagogë të shquar që në këto zgjedhje kanë vendosur ta shfaqin publikisht mbështetjen e tyre për Partinë Demokratike, vlerësuan gjithashtu programin qeverisës të kësaj force politike, duke shprehur besimin se zbatimi i tij do ta fusë vendin edhe një herë në rrugën e duhur të integrimit.

Tabaku u shpreh se me themeluesit, intelektualët e pedagogët ka diskutuar për të gjitha çështjet që prekin sot shoqërinë shqiptare, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, punësimin, tregun, konkurrencën, korrupsionin dhe administratën shtetërore.

Ajo tha se këto diskutime do të vijojnë edhe pas 25 prillit, për të pasur një qeverisje që kërkon zgjidhje për problemet e vendit dhe qytetarëve.

Nga ana tjetër, ajo foli me shqetësim për presionin që po i bëhet administratës, “në një nivel që ka kaluar përtej çdo limiti që ka përdorur çdo forcë politike që ka qenë në pushtet”.

Por ajo e siguroi administratën publike se “kushdo që është në punë, për vite, me integritet, i pakorruptuar do jetë atje dhe nuk do ta gjejë asgjë e keqe”.

Tabaku, garantoi gjithashtu se procesi i vaksinimit dhe i rindërtimit do të vijojë edhe më mirë dhe më shpejt sesa është bërë deri tani.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.