Autokolona me makina që ndjek Bashën kushton 4-5 milionë euro/ Brenda janë ata të bingove, drejtorët e tatimeve dhe shefat e Policisë që tradhtonin oficerët në operacione

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ “Autokolona me makina që ndjek Lulzim Bashën kushton 4-5 milionë euro dhe brenda tyre janë ata që presin datën 25 prill të hapin bingot”, tha Kryeministri Edi Rama nga Lushnja.

Në një takim me banorë të Lushnjës, Rama u ndal te premtimet e Bashës, i cili sipas tij, premton rritjen e pensioneve dhe njëkohësisht uljen e sigurimeve shoqërore.

“E keni pyetur veten kush janë në ato makina? Janë ata që me votën tuaj duan që të vijnë PD dhe pastaj edhe njëherë nga e para bingo për të gjithë kalamajt. Janë drejtuesit e policisë që i çonin oficerët e policisë si cjapi te kasapi. Ju kujtohet sa u vranë sepse tradhtoheshin pas shpine. Aty brenda në makina i keni”, tha Rama.

“Aty brenda janë ata të tatimeve. Tani bizneset e vogla taksën e kanë zero sot, TVSH e kanë zero. Nuk më duan mua e çfarë problemi ka? Nuk ka asnjë problem, nuk po i them hajde se do bëjmë krushqi bashkë, por interesi i tyre është që taksën e TVSH-në ta kenë zero. Ja vlen të rrisësh taksën tënde që Luli të shkoj të flejë në kryeministri? Luli thotë unë do jua rris, do jua bëj 0.5 por do t’ju jap 1 mijë euro në muaj. Njësoj siç shkonte te furrat e bukës e thoshte do ul çmimin e bukës. Sa u bë kryetar bashkie ju la shëndenë dhe ju tha prisni tramvajin e Tiranës. Nuk ka në atë program asnjë gjë për ju, për këtë popull, vetëm një përpjekje ta hajë kush ta hajë”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.